Akuza për politizim të administratës, nepotizëm, transferime të paligjshme, keqpërdorim të parasë publike, janë disa nga akuzat që zyrtarët e partisë opozitare në Podujevë, LDK, i kanë bërë në adresë të qeverisë komunale. Ata u kanë bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që t’i hetojnë këto raste. E zyrtarët komunalë nuk kanë dashur të deklarohen rreth akuzave që ua kanë bërë opozita.
Zyrtarët e LDK-së në Podujevë ua kanë dhënë epitetin “tregtarë flamujsh” zyrtarëve komunalë.
Duke folur për qeverisjen njëvjeçare të Vetëvendosjes në një konferencë për media, ata kanë adresuar kritika e akuza ndaj komunarëve për nepotizëm, politizim të punëtorëve, presion e shtantazh ndaj mësimdhënësve, punëtorëve shëndetësorë e punëtorëve të tjerë.
Kryetari i Degës së kësaj partie, Emrem Hyseni, ka thënë se gjatë kësaj periudhe janë bërë punësime në arsim pa kurrfarë kriteresh.
“Ata që erdhën në pushtet me premtimin për administratë profesionale e të depolitizuar, përfunduan në administratë të politizuar dhe joprofesiononalizëm duke politizuar gjithçka e profesionalizmin duke e lënë vetëm në letër. Arrogancë, diferencim dhe ndëshkim për të gjithë ata të cilët nuk mendojnë njëjtë si partia në pushtet. Kjo ishte kryefjala e kësaj periudhe. Si asnjëherë më parë, punëtorët e Komunës, arsimit e shëndetësisë iu nënshtruan presionit, shantazhit dhe ndëshkimit pothuajse çdo ditë të punës së tyre”, ka thënë Hyseni.
Hyseni ka theksuar se Komuna ka vendosur ushtrues detyre të drejtorit të QKMF-së dhe kryeinfermierin, dy perona që, sipas tij, janë eksponentë të LVV-së dhe njëri i punësuar vetëm para gjashtë muajve.
Akuza për montim të konkurseve, punësime familjare e partiake në kundërshtim me rregullativën ligjore kanë adresuar edhe këshilltarët komunalë opozitarë.
Edhe
Hyseni ia numëron keqpërdorimet, Bulliqi i thotë se është praktikant
“Se Drejtoria e Arsimit është kampion për keqpërdorime këtë e shohim edhe në tenderin për furnizim me dyer në shkolla ku një derë, besoni apo jo, është paguar 740 euro. Po të njëjtit në tenderin prej 179 mijë eurosh, ku kanë blerë tushbateri 2500 copë, nga 74 bateri për secilën shkollë, skandaloze. Në të njëjtin tender flamuri i Kosovës kushton 10 euro, kurse flamuri kombëtar 1 cent. Tregtarë flamujsh”, ka thënë këshilltari komunal i LDK-së në Podujevë, Qëndrim Softolli.
“Inspektori transferohet në arkivë, ofiqari në inspeksion, zyrtari i lartë për informim në kadastër, insepktori në kulturë e zytari i prokurimit në ofiqari”, ka thënë Arjeta Salihu-Abazi, këshilltare komunale e LDK-së në Podujevë.
Ndërkohë, Valon Demolli, shef i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, ka thënë se Komuna e Podujevës ka paguar 171 mijë euro në emër të rrugës “Xhemajl Mustafa”, për të cilën, sipas tij, nuk ka pasur as zhvillim të procedurave të prokurimit. Për këtë ai i ka ftuar organet e drejtësisë që ta hetojnë si rast.
KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga zyrtarët komunalë për këto akuza, por ata gjatë ditës nuk kanë dashur të deklarohen.
-
Opozita e quan diskriminues buxhetin e Podujevës e pushteti gjithëpërfshirës
-
LDK-ja me akuza rreth raportit financiar, ekzekutivi i Podujevës i mohon
-
LDK-ja akuzon Podujevën për keqklasifikim të buxhetit, Komuna thotë se s'është keqpërdorim
-
LDK-ja akuzon Bulliqin për punën njëvjeçare, ai përmend sukseset