Ditë më parë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, ka njoftuar se ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme që parashihej të mbahej të hënën e 16 korrikut.
Nga kjo seancë, e cila ende nuk është thirrur në pamundësi të mbledhjes së nënshkrimeve, synohej të bëhej e qartë që presidenti Hashim Thaçi, s’është i mandatuar të jetë kryenegociator në dialogun me Serbinë. Edhe Visar Ymeri nga PSD-ja, ka thënë se presin mbështetje nga dy partitë tjera opozitare, LDK-ja dhe VV-ja.
Presidenti Hashim Thaçi dhe ai serb Aleksandër Vuçiq, do të takohen të mërkurën, më 18 korrik në Bruksel te Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, raporton Koha.net.
Zyrtari për media i PSD-së, Shkodran Hoti, në një përgjigje për Koha.net, ka thënë se seanca e jashtëzakonshme nuk është mbajtur sot për shkak se nuk kanë marrë nënshkrimet nga partitë tjera në opozitë.
Lexo edhe: Molliqaj sfidon Vetëvendosjen dhe LDK-në për rrëzimin e Haradinajt e ndalimin e Thaçit
Edhe
PSD-ja s’arrin të bindë LDK-në e VV-në për seancë të jashtëzakonshme për dialogun, të hënën ka vetëm debat
“Ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga dy grupet parlamentare, LDK-së dhe VV-së”, ka thënë Hoti. Se a ka gjasa që kjo seancë të mbahet nesër, para takimit të Thaçit dhe Vuçiqit, ai ka thënë se varet nga përgjigja e dy partive tjera.
Në ndërkohë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë për Koha.net se e mbështesin këtë nismë të PSD-së, por se ata nuk i kanë të qarta rekomandimet e tyre, e për këtë, Vetëvendosja nuk i ka dhënë nënshkrimet.
Haxhiu ka treguar se gjatë ditës së premte, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca ka zhvilluar një takim me Visar Ymerin nga PSD-ja, dhe çështja ka mbetur e hapur.
“Është zhvilluar një takim vetëm nga Glauk Konjufca, por nuk e kemi pa se cilat janë pikat për t’u diskutuar. Ne duhet t’i kemi të qarta rekomandimet e tyre. Kemi hezituar t’i japim nënshkrimet pa i pasur të qarta këto pika”, ka thënë Haxhiu për Koha.net.
Haxhiu tha se partia nga vjen ajo, duan ta kenë një dokument të qartë sepse sipas saj, “qëndrimet e PSD-së kanë qenë kontroverse”.
Edhe
PSD-ja synon që ta ndalë Thaçin në përgjegjësinë e drejtimit të dialogut
“Sipas bindjes sonë, ata nuk kanë pasur qëndrim të qartë kundërshtues. Natyrisht se ne e mbështesim këtë iniciativë, por duam të jenë të qarta rekomandimet. Nga takimi i së premtes nga Glauk Konjufca e Visar Ymeri, kjo ka mbetur e hapur deri të nxjerrim pikat ku na bashkojnë”, tha Haxhiu.
Në anën tjetër, Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së dhe disa deputetë të tjerë të kësaj partie, por nuk kanë pasur përgjigje për këtë çështje.
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka thënë se nga kjo seancë ata duan ta bëjnë të qartë për gjithë qytetarët e Kosovës se Thaçi edhe pse është president, nuk ka mandat për të vazhduar dialogun me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“Në anën tjetër nuk ka as platformë, nuk ka as substancë për këtë dialog dhe më keq se kaq, në këto takime që po i bën me Aleksandër Vuçiqin, asnjëherë nuk ka treguar institucionalisht e as publikisht për atë se çfarë ka folur atje, pse po shkon dhe në emër të kujt po shkon”, tha Ymeri.
Edhe
Sot takimi koordinues rreth Dialogut, ftesës së Veselit s’i përgjigjen LDK-ja e VV-ja
Kujtojmë se pavarësisht kundërshtimeve nga opozita, krerët e shtetit do të shkojnë të mërkurën në Bruksel te Mogherini.
Në këtë takim, përveç presidentit Hashim Thaçi, do të jenë edhe Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe zëvendëskryeministri dhe Ministri për Diasporë dhe Investime Strategjike, Dardan Gashi.