Arbëri

LDK-ja e Prizrenit: Haskuka ndoshta nuk ka njohuri se si funksionon qeverisja lokale

Foto: Koha

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, i ka reaguar kryetarit të kësaj komune, Mytaher Haskukës, për çështjen e pagesës së qirasë për objektet komunale që shfrytëzohen nga partitë politike.

LDK-ja përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka shkruar se kryetari Haskuka ndoshta nuk e ka njohurinë se si funksionon qeverisja lokale, duke u përmendur suficitin prej 20 milionë eurove që i ka mbetur qeverisjes së Haskukës për tri vite në krye të Prizrenit.

“Komunës së Prizrenit, për shkak të paaftësisë dhe mungesës së kreativitetit e papërgjegjësisë së kryetarit Mytaher Haskuka dhe kabinetit të tij, për tri vite rresht, qysh se kanë ardhur në pushtet, u kanë mbetur suficit në total rreth 20 milionë euro. Ndërkohë që tash në fund të mandatit, po vajton që Komuna nuk paska arritur të arkëtoi nga qiratë e objekteve komunale që shfrytëzohen nga subjektet politike, një shumë mjetesh të papërfillshme në krahasim me shumën e suficitit që çdo vit kalendarik i mbetej si tepricë sepse gjatë tërë vitit nuk kanë punuar gjë, në mungesë të ideve kreative për të realizuar projekte të nevojshme që do të përmirësonin jetën e qytetarëve të komunës”, thuhet në reagimin e LDK-së së Prizrenit.

Tutje në reagim, LDK-ja i ka kujtuar Haskukës se pagesa simbole prej një euro në muaj për qiranë e objekteve të partive politike në Prizren është votuar në vitin 2005 nga asamblistët e asokohe, që subjektet politike të angazhohen e punojnë për zhvillimin e jetës përfaqësuese qytetare në nivel lokale e qendror.

“Është sa qesharake, aq edhe për keqardhje se si ai e përmend vazhdimisht shumën monetare të qirasë, që vërtetë është asgjë, duke mos e kuptuar se çfarë nënkupton termi simbolik, ndoshta si rezultat i mos njohurisë së tij elementare se si funksionon qeverisja lokale. I dashur kryetar Haskuka, që ta kuptosh; shuma prej një euro në muaj është simbolikë, e kjo nënkupton që kur ish asamblistët e legjislaturës 2005 kanë votuar për t’u mundësuar që të gjitha partitë politike të shfrytëzojnë këto objekte për veprimtari politike, me këtë shumë simbolike u është bërë me dije se; Komuna me vullnetin e mirë ua jep në shfrytëzim, por ju nuk jeni pronarë të objekteve. Shpresojmë ta kuptosh më në fund që, ne nuk jemi as uzurpator, as biznese profitabile, por subjekte politike që angazhohemi dhe punojmë për zhvillimin e jetës përfaqësuese qytetare në nivel lokal e qendror”, shkruhet tutje në reagimin e kësaj partie.

Kujtojmë se këshilltarët e partive opozitare në Prizren të enjten braktisën mbledhjen e Kuvendit të Komunës në shenjë pakënaqësie me një konkluzion të kryetarit të Komunës, me të cilin, sipas tyre, kërkohet largimi i partive politike nga zyrat që janë pronë komunale.

Duke qenë se opozita përbën shumicën në KK-në e Prizrenit, seanca dështoi në mungesë kuorumi. Paraprakisht kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka theksuar se me këtë konkluzion po zbatohet ligji dhe se nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim që bie ndesh me legjislacionin në fuqi.