Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK-ja e Mitrovicës kundër ndarjes, e shqetësuar me qëndrimet e Bahtirit

Safet Kamberi, kryetar i degës së LDK-së në Mitrovicë, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë, derisa ka thënë se Mitrovica është e shqetësuar me qëndrimin e kryetarit të saj, Agim Bahtiri që Lugina të bashkohet me Kosovën.

Duke folur për takimin që dega e LDK-së në Mitrovicë e mbajti gjatë të martës me Grupin Parlamentar dhe kryesinë e kësaj partie, Kamberi ka thënë se banorët shqiptarë në veri janë të shqetësuar se do të mbesin në Serbi, në rast të shkëmbimit të territoreve, transmeton Koha.net.

“Kanë frikë se do të ndahen dhe një pjesë e veriut të Kosovës do t’i bashkëngjitet Serbisë. Ne jemi dëshmitarë të incidenteve që kanë ndodhur në pjesën veriore, në veçanti në lagjen Kroi i Vitakut. Kjo rrit shqetësimin e banorëve edhe pse është një gjendje jo e sigurt. Na ka befasuar prezenca e Agim Bahtirit në Gjilan për diskutimet që Lugina të jetë pjesë përbërëse e Kosovës, kjo e rrezikon sigurinë e banorëve të Mitrovicës dhe qytetarët e Luginës që po manipulohen me deklarata”, ka thënë Kamberi që ka shtuar se nuk është në kompetencën e Bahtirit si kryetar komune që të merret me kufijtë e shtetit.

“Kjo nuk është në përgjegjësi që kryetari i një komune të merret me kufijtë e shtetit. Një kryetar i komunës mund ta ketë shqetësimin e vet, por ai nuk guxon të lëshohet në aventura që janë joshëse për Bahtirin, por në këto rrethana nuk duhet të bëjë gafa të tilla dhe bëj thirrje që të mos luhet me ndjenjat e qytetarëve”, ka thënë veç të tjerash kryetari i degës së LDK-së në Mitrovicë.