Ish-kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, ka thënë se marrëveshja parazgjedhore në heshtje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë, filloi së zbatuari pas përfundimit të zgjedhjeve. Këto komente, Hyseni i bëri pasi sot u zgjodh kryesuesi i Kuvendit Komunal i Podujevës nga radhët e PDK-së, Hilmi Hoxha.
Sipas Hysenit, kryetari aktual Shpejtim Bulliqi i ka mashtruar qytetarët podujevas, që sipas tij, nuk e meritojnë një gjë të tillë. I pari i Degës së LDK-së në Podujevë shton se kjo marrëveshje bashkëpunimi e bashkëqeverisje, me çdo kusht për të siguruar pushtet për veti, është në interes vetëm të atyre që janë në pushtet
“Marrëveshja parazgjedhore filloi së zbatuari pas zgjedhjeve. Qytetarët llapjanë nuk mund t'i mashtrosh. Mashtrimin nuk e meritojnë. Ajo që ekzistonte si marrëveshje në heshtje parazgjedhore, u bë marrëveshje në praktikë paszgjedhore. Kjo marrëveshje bashkëpunimi e bashkëqeverisje, me çdo kusht për të siguruar pushtet për veti, është në interes vetëm të atyre që janë në pushtet. Fatkeqësisht, më së keqi do ta pësojnë qytetarët e komunës sonë, ngase kjo do të jetë në dëm të tyre e në dobi të pushtetarëve. Pazaret për pushtet dolën në shesh. Tashmë edhe publikisht. Jam krenar, që si prijës i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë qëndruam dhe do t'ju qëndrojmë besnik premtimeve e zotimeve të dhëna para secilit qytetar llapjanë, bashkërisht me asambleistët tanë. Nuk jemi bërë, as nuk do bëhemi asnjëherë pjesë e pazareve që veç për të mirën e qytetarëve nuk janë. Si i pari i LDK-së në Podujevë do të jemi të përgjegjshëm përballë secilit interes të qytetarëve, dhe do të përkrahim vetëm e vetëm punët e mira, nëse do të ketë të tilla, që do të jenë në funksion të së mirës së përgjithshme. Si partia e parë do të jemi të përgjegjshëm para secilit qytetarë të komunës sonë”, ka shkruar Hyseni në Facebook.
Podujeva i shpëtoi zgjedhjeve pasi sot në seancën e fundit të Kuvendit Komunal arriti të gjente konsensus për zgjedhje e kryesuesit për mandatin katërvjeçar. Hilmi Hoxha nga PDK-ja mori 19 vota pro. Ai është zgjedhur në raundin e tretë, pasi në dy të parët nuk mori votat e mjaftueshme.
E kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, pas zgjedhjes së kryesuesit deklaroi se një gjë e tillë u bë për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
-
VV-ja e PDK-ja arrijnë marrëveshje për qeverisjen në Podujevë, Shabani zgjidhet kryesues
-
Mbi 72 për qind të votave të numëruara në Podujevë, Bulliqi pritet të triumfojë pa balotazh
-
Hyseni ia numëron keqpërdorimet, Bulliqi i thotë se është praktikant
-
Hyseni: Llapjanët i dhanë vulën e fitores LDK-së
-
LDK-ja mohon se asamblisti i saj sulmoi Bulliqin, akuzon pushtetin për kontrabandim të seancës