Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti përmes konferencës javore për media ka folur për tri çështje; miratimin e demarkacionit, dialogun me Serbinë si dhe zgjedhjet e reja nacionale.
Hoti ka përsëritur qëndrimin e kësaj partie se Qeveria Haradinaj duhet të dorëhiqet pas miratimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, duke shtuar se LDK ka pasur rol kyç në miratimin e kësaj marrëveshjeje, transmeton kp.
Ai teksa ka kërkuar zgjedhje të reja, ka thënë që së pari është e nevojshme që partitë të arrijnë mirëkuptim mes vete për disa çështje me rëndësi.
“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, sepse kjo shumicë parlamentare e ka humbur legjitimitetin për të vazhduar më tutje, duke parë që një partner i koalicionit qeveritar nuk u paraqit atë ditë në Kuvendin e Kosovës, pra ne presim që Qeveria të dorëhqiet”, tha Hoti.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së edhe kësaj radhe ka përsëritur pakënaqësinë e partisë së tyre lidhur me rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka bërë të ditur se LDK nuk mbështet dialogun e drejtuar nga Thaçi.