E hëna e përmbylli sesionin pranveror të Kuvendit, pas një seance maratonike për dialogun, e cila përfundoi pa votimin e rezolutës në mungesë votash, raporton KTV.
Për këtë deputetët e pushtetit presin që shtatori të sjellë ndryshime e të hyjë në fuqi rregullorja e re që, përveç privilegjeve, deputetët të kenë edhe detyrime.
Por, LDK-ja është e bindur se vendi shpejt do të shkojë në zgjedhje e Kuvendi do të ketë një legjislaturë të re.
Shumë lutje iu bëri një ditë më herët në seancë kryeministri deputetëve që të mos shkonin në pushime verore pa e arritur një konsensus për fazën finale të dialogut, por sesioni pranveror megjithatë u mbyll pa rezultat.
Gati dhjetë orë debat u bënë për dialogun, por në mungesë kuorumi, nuk arriti të kalonte rezoluta e kjo ishte veç një nga herët ku nismat ligjore dështojnë në mungesë votash.
LDK-ja këtë e sheh si rrugën e vetme që vendin ta çojë drejt zgjedhjeve e luten që një sesion i tillë i dobët si ky i fundit të mos përsëritet.
Por, shefi i deputetëve të AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se opozita zgjedhjet po i përdor veç për konsum.
Ai pret që në shtator të ndryshohet rregullorja e Kuvendit e deputetët të kenë edhe detyrime e jo veç privilegje.
Ndërkohë, Kuvendi, që nga janari e deri në këtë fund të korrikut, ka plotësuar vetëm 22 përqind të agjendës legjislative.
Megjithatë, Artan Murati nga KDI-ja thotë se statistikat nuk qëndrojnë keq, krahasuar me vitet e kaluara, por efikasiteti në punë ka qenë i dobët.
Ai ka thënë se shumë punë kanë mbetur të papërfunduara e më së shumti do t’i kushtojë dështimi për të votuar disa marrëveshje ndërkombëtare.
Murati tha se gjatë këtij sesioni janë mbajtur 260 mbledhje komisionesh e 27 seanca plenare, por asnjë nga to nuk ka arritur të përfundojë në ditën që ka filluar.