Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LB e sheh të domosdoshme mbikëqyrjen e vetingut në Kosovë nga ndërkombëtarët

Lëvizja për Bashkim e konsideron të domosdoshme mbikëqyrjen e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë nga institucionet ndërkombëtare.

Kjo parti ka thënë se e sheh si të domosdoshme mbikëqyrjen e procesit duke pas parasysh gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen institucionet kompetente në vend.

“Lëvizja për Bashkim, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen institucionet kompetente për zbatimin e drejtësisë; duke qenë e vetëdijshme për tendencën e korruptimit të procesit nga faktorë politik; duke e konsideruar këtë proces si shumë të vështirë për shkak të rrjetit kriminal të krijuar në këto institucione, e konsideron të domosdoshëm mbikëqyrjen e këtij procesi nga përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. Me këtë rast, ne e mirëpresim gatishmërinë e Komisionit Evropian për të ndihmuar në këtë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e vendit”, njofton LB-ja.

LB ka thënë po ashtu se është e bindur që një proces i mirëfilltë i verifikimit të zyrtarëve që punojnë në institucionet kyçe të drejtësisë është i domosdoshëm dhe urgjent.