Në mjedisin tonë politik as njerëzit e as fenomenet historike nuk merren parasysh sipas lidhjes shkak-pasojë. Kështu shikohet Adem Demaçi edhe këtu në Serbi, sikurse në Kosovë.
I burgosuri nga historia e Ballkanit, më i vjetri nga të burgosurit, ka qenë i akuzuar se ka përfaqësuar variantin më dogmatik të marksizëm-leninizmit. Është interesant se ka vuajtur burgun në të njëjtin burg me Milovan Gjilasin, i cili ka qenë i dënuar për mbrojtje të variantit liberal të atyre teorive, ka vlerësuar për “Danasin” historiania Latinka Peroviq rëndësinë dhe vlerën e angazhimit publik të intelektualit të ndjerë Adem Demaçi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Adem Demaçi, thotë Peroviq, ka qenë njeri i atij mjedisi, i asaj faze të zhvillimit të popullit në Kosovë. Është interesant, konsideron ajo, se koha që ka kaluar nëpër burgje e ka mbrojtur nga lëvizjet turbulente dhe nga proceset e rrezikshme shoqërore. Fehmi Agani, një ndër bashkëbiseduesit më të rëndësishëm të dialogut dhe pajtimit mes shqiptarëve e serbëve, atëherë u vra, rikujton ajo. U mor nga treni gjatë luftës. Kjo, thotë Peroviq, ka qenë kohë e terrorit konstant mbi shqiptarët e Kosovës.
Duhet të mendojmë për fenomenet e përgjithshme, këshillon Peroviq, për zhvillimin e shqiptarëve të Kosovës, ngritjen dhe rënien e tyre në Jugosllavi. Pas daljes nga burgu, Demaçi mbeti njeri i atyre kohërave, e përshkruan Peroviq përshtypjen e saj për veprën e intelektualit kosovar, por konstaton se ai, po ashtu, ka qenë njeri i cili deri në fund është angazhuar për dialog me serbët. Si shembull ajo rrëfen historinë e Sonja Biserkos, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, për takimin e saj me Demaçin në Prishtinë gjatë luftës, i cili i kishte thënë “eja motër ulu afër meje, të dëshmojmë se ne mundemi së bashku”.
Peroviq ishte takuar me Demaçin edhe në Beograd, edhe në Prishtinë, atëherë kur, siç thotë ajo, të dyja palët shprehnin dëshirat që vala e nacionalizmit dhe e konfliktit etnik të tërhiqej.
Edhe
Adem Demaçi shkrimtar
Ka qenë legjendë një kohë, por nuk është shembull për gjeneratat e ardhshme, mendon Peroviq, duke konstatuar se është fjala për një personalitet që zë mjaft vend të pastër në kohën që e ka përcaktuar.
Gazeta “Danas” e përmbyll artikullin me konstatimin se Adem Demaçi ishte intelektuali i parë kosovar i cili pas luftës, në vitin 2000, udhëtoi për në Beograd dhe opinionit publik iu drejtua me këto fjalë: “Kam ardhur në Beograd si njeri e jo si shqiptar, që të bisedoj me njerëz se si t’i tejkalojmë konfliktet dhe të jetojmë në paqe”.