Vetë kishte hequr dorë nga lakmia. Mund të jetonte mirë si shkrimtar e i punësuar në ndërmarrjen “Rilindja”. Kishte hequr dorë edhe nga frika. Në vitet ‘50 të shekullit të kaluar, kur represioni serb mbi shqiptarët në Kosovë po vlonte nën udhëheqjen e ministrit të Brendshëm famëkeq, Alaksadar Rankoviq, i riu Adem Demaçi kishte çuar krye për të drejtat e shqiptarëve e bashkim kombëtar. Për këtë edhe do të burgosej. Por edhe pas tri dënimeve e 28 vjetëve burg, në bllokun e shënimeve personale që e mbante me vete, fliste për frikë e lakmi.
“Si të mos fundosemi”, është pyetja që shtronte me shkrim dore. “Lirimi nga besëtytnia, lakmia, mendjelehtësia, frika”, ishin përgjigjet që i jepte duke i renditur nga e para deri te e katërta, shkruan sot Koha Ditore.
Ky bllok shënimesh është një prej elementeve të ekspozitës “Ni zo i lirë”, që është hapur të enjten mbrëma në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Gjësendet personale, fotografitë e Adem Demaçit në periudha të ndryshme, mirënjohjet e dekoratat, letrat nga burgu e gjëra të tjera janë pjesë e ekspozitës që është organizuar nga familja. Ekspozita e hapur në Ditën e Flamurit, më 28 nëntor, ka shënuar edhe ngjarjen kryesore e të vetme të institucioneve kulturore për këtë festë. Ajo e kthen kohën prapa sikur në sekuenca.
Njëra prej tyre është ajo e shkurtit të vitit 1966. Demaçi, i lindur më 1936, ishte në burgun e Pozharevcit në Serbi pas dënimit të tij të parë për veprimtari armiqësore kundër pushtetit të atëhershëm. Më “9 fror” t’i drejtohej nënës së tij me një letër.
“Të dashurit e mij, me shëndet jam shumë mirë dhe çka asht ma kryesorja, nuk po mërzitem aspak. Prej datës 20 kallnor kanë fillue me më dhanë edhe libra prej bibliotekës së Burgut”, shkruante Demaçi. U kërkonte familjarëve që t’i dërgojnë shuma më të vogla të hollash. U thotë se më shumë u duhen të hollat atyre sesa atij në burg.
“Nanë e dashtun, ma mos më dërgoni as fanella, as tëlinda, as çorape, as faculeta... sepse për nja disa vjet kam mjaft”, shkruante ai midis të tjerash në këtë letër. Do të ishte hera e fundit që e ëma e tij Nazifja do të informohej nga i biri. Ajo vdiq në fillim të marsit të atij viti.