Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, e ka arsyetuar largimin e punëtorëve shëndetësorë nga Kosova me faktin se një gjë të tillë po e përjetojnë edhe shtete si Greqia, Austria, Zvicra e vende të tjera.
Ai ka thënë se gjatë vizitës në Athinë javën e kaluar e pa që edhe ky vend ka problem të ngjashëm me ikjen e punëtorëve shëndetësorë nga një vend në vendin tjetër.
Për çështjen e ikjes së anesteziologëve, Latifi ka pohuar se ky është një problem, por që ka qenë i trashëguar nga qeverisjet e kaluara.
“Edhe Greqia, Austria, Zvicra e këto vende kanë të njëjtin problem me largimin e punëtorëve shëndetësorë nga një vend në vendin tjetër. Çështja e anesteziologëve është lënë pasdore dhe është keqplanifikuar me vite të tëra. Që nga viti 2016 nuk është hapur konkursi për anesteziologë. Gabimet e së kaluarës, po i përjetojmë tash. Anesteziologët duhet të trajtohen si profil deficitar dhe me prioritet”, ka thënë Latifi në seancën e Kuvendit të enjten.
Latifi ka thënë se do të hapin konkurs për 30 specializantë të anesteziologjisë, ndërsa për të ardhmen ka theksuar se duhet të ketë më shumë kreativitet.
Deri më tani janë mbi 60 mjekë të cilët janë larguar nga SHSKUK-ja duke shkuar në sektorin privat, derisa numri më i madh i tyre janë anesteziologë.
QKUK-ja pothuajse çdo ditë po detyrohet të mbyllë sallat operative në mungesë të anesteziologëve.