Ushtruesja e detyrës së shefes së Dializës në Klinikën e Nefrologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hajrija Zatriqi-Korça, ka thënë të premten se ka shkëputur marrëdhënien e punës në QKUK duke u ankuar për mosrespektim të pozitës së saj dhe për sjellje të disa individëve, për të cilët nuk i ka publikuar emrat.
KOHA ka mësuar se asaj i ka skaduar mandati si shefe e Dializës. Megjithatë, Zatriqi-Korça është larguar nga çfarëdo funksioni që ka pasur në QKUK.
Në një shkrim në Facebook, ajo është ankuar se ka pasur vazhdimisht sjellje joadekuate të njerëzve në institucione teksa ka thënë se ka pasur edhe neglizhencë të mbikëqyrëse për të ofruar ndihmë apo mbështetje.
“Me anë të këtij shkrimi dua të ju njoftoj se me datë 19.11.2021 kam ndërprerë në mënyrë të njëanshme si shenjë e pakënaqësisë marrëdhënien e punës shumëvjeçare në Klinikën e Nefrologjisë në QKUK kështu duke e lajmëruar Drejtorin e SHSKUK si dhe Drejtoreshën e Nefrologjisë. Disa nga arsyet kryesore për të cilat e kam ndërprerë marrëdhënien e punës në këtë Institucion janë mosrespektimi i pozitës sime si U.d shefe e Dializës nga stafi, dëftimeve verbale të njëpasnjëshme që nuk gëzoj pozitën e shefes së dializës pa ofruar dokumente zyrtare që të më largojnë nga kjo pozitë, sjellja joadekuate nga disa individë që është e patolerueshme dhe e papranueshme në Institucionet Shtetërore e aq më pak ato Shëndetësore si dhe neglizhenca e personave mbikëqyrës që të ofrojnë ndihmë apo mbështetje në përmirësimin e situatave të tilla”, ka shkruar ajo.