Arbëri

Lajçakut pritet t’i zgjatet mandati edhe për 18 muaj

Miroslav Lajçak ka thënë të enjten se është urgjente të arrihet një kompromis për targat mes Kosovës e Serbisë

Mirosllav Lajçak pritet të jetë në postin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi edhe për 18 muaj tjera.

Shtetet anëtare të BE-së janë pajtuar që Lajçakut t’i zgjatet mandati edhe për një vit e gjysmë. Mandati i Lajçakut dhe ekipit të tij do të jetë i vlefshëm deri më 1 prill të vitit 2024.

Lajçak ka marrë postin aktual më 1 prill të vitit 2020. Fillimisht mandati i tij ishte njëvjeçar, ndërsa vitin e kaluar iu zgjat mandati edhe për një vit e gjysmë.

Të martën pritet të mbahet takimi i radhës Kosovë – Serbi në nivel të kryenegociatorëve. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së për Politikën e Jashtme, Peter Stano.

Ai ka treguar se Lajçak do të jetë mikpritës i takimeve, ndërsa temë kryesore do të jetë dakordimi për udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjeve për energji nga viti 2013 dhe 2015 dhe përgatitjet për takim të radhës në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pasi pritet të bihet dakord për zbatimin e marrëveshjes për energji, në BE besojnë se do të krijohen kushte edhe për takim të nivelit të lartë. Ka thuajse një vit që nuk ka pasur takime të nivelit të lartë.