Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lajçaku takon Vuçiqin për “rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar të mërkurën presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka thënë se ka biseduar “për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën”.

Takimi me Vuçiqin ndodh pak ditë pas takimit që Lajçaku pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë. Ai takoi presidentin serb në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

“Pas takimit me kryeministrin Kurti në Prishtinë javën e shkuar, vazhdova bisedën me presidentin Vuçiq në New York sot. Në margjina të #UNGA, folëm për rrugën përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar Lajçaku në Twitter.

Pas takimit me kryeministrin Kurti, Lajçaku në Prishtinë javën e shkuar u shpreh i befasuar kur ka dëgjuar për kornizë të re të dialogut, të cilën e paralajmëroi Vuçiqi gjatë raportimit në Kuvendin e Serbisë.

Vizita e paparalajmëruar e Lajçakut në Prishtinë erdhi pak ditë pasi ai qëndroi në Kosovë e Serbi me këshilltarët e lartë të presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman.