Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se nuk mund të ndodhë që marrëveshja për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë të mos implementohet apo që të implementohet pjesërisht, pasi sipas tij, tashmë ka pajtim për përmbajtjen e propozimit evropian.
“Bazuar në opinionet e tyre për implementim, do të hartojmë një propozim që do të diskutohet më 18 mars në Ohër”, ka thënë ai në një intervistë për “Kossev” të premten.
Lajçak ka theksuar se BE-ja pret që në takimin e Ohrit të arrihet pajtim për udhërrëfyesin apo që të paktën palët të arrijnë progres të madh.
“Ka pritje të mëdha nga komuniteti ndërkombëtar, BE-ja dhe SHBA-ja. Ata ua kanë bërë të qartë se e konsiderojnë këtë proces tejet të rëndësishëm dhe bashkëbiseduesit kryesorë – Kurti e Vuçiqi – e dinë këtë fakt”, ka thënë ai duke shtuar se “në Ohër shkon me qëllimin e finalizimit të procesit”.
Nëse nuk arrihet “skenari ideal” që palët të pajtohen për tekstin e të gjithë marrëveshjes, Lajçaku ka thënë se sukses i madh do të konsiderohej edhe pajtimi për udhërrëfyesin.
Edhe Me koordinim më mirë se pa koordinim - nëse ka mundësi“Do të ishte mirë sepse do të nënkuptonte që do të takoheshim shpejt për ta përfunduar. Askush s’dëshiron ta zvarrisë këtë proces. Duam t’i shohim palët të përkushtuara, që kanë dëshirë për negociata dhe që duan ta çojnë në fund të suksesshëm procesin, gjë që do të ishte mirë për të dyja palët”, ka thënë Lajçaku.
Ai në këtë intervistë ka përsëritur qëndrimin se ka marrë opinionet nga Kosova dhe se qëllimi i vizitës është përmbushur.
Lajçaku ka shpjeguar se marrëveshja finale përmban dy pjesë – atë politike dhe teknike – dhe të dyja formojnë dokumentin e pandashëm. Sipas tij, pjesa politike është pajtimi i Kosovës dhe Serbisë për përmbajtjen. Pjesa e dytë, ajo që sipas tij ka të bëjë me aplikimin. “Këtu kemi bërë të qartë se jemi të gatshëm dhe të hapur t’i dëgjojmë komentet dhe sugjerimet e tyre, sepse është e qartë se është dokument shumë i rëndësishëm dhe ne përkrahim plotësisht faktin që palët duan të marrin garanci se, nëse përmbushin ato për çka janë pajtuar – të marrin ato që u janë premtuar”, ka thënë ai.
Lajçaku ka komentuar edhe çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, “nuk mund të ketë marrëveshje për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë pa u siguruar mbrojtja kushtetuese dhe institucionale për komunitetin serb në Kosovë”.
Ai ka thënë se neni 7 i propozimit evropian nënkupton që “palët duhet të pajtohen për detajet bazuar në marrëveshjet e 2013-s dhe 2015-s duke marrë parasysh opinionin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjetjen e frymëzimit në një nga modelet ekzistuese evropiane që funksionojnë mirë”.
Edhe
BE-ja thotë se dialogu s’është komprometuar pas përfshirjes së Lajçakut në dosjen Epstein
Sipas tij, janë 15 modele të ndryshme që mund të shërbejnë për frymëzim. Ka shtuar se asnjë nga këto modele “nuk çon në mosfunksionim”, por “në besim më të madh mes komuniteteve”.
Lajçaku ka thënë se vendimi për Asociacionin ka të bëjë me “përmirësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit mes komunave me popullatë shumicë serbe dhe Qeverisë në Prishtinë dhe në anën tjetër, të caktojë ‘rregulla të qarta’ për komunikim dhe bashkëpunim mes serbëve të Kosovës me Qeverinë e Serbisë”.
Çështjen e formalizimit të statusit të Kishës Ortodokse Serbe, Lajçaku e ka cilësuar si diçka për të cilën “s’duhet të ketë frikë për të ardhmen”.
Pas qëndrimit dyditor në Kosovë, Lajçaku do të shkojë në Beograd.
Edhe Limitet e ndërmjetësimit të BE-së dhe udhëkryqi në të cilin gjendet dialogu Kosovë-SerbiNë Kosovë ai është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, liderë opozitarë, ministra e Listën Serbe.
Pas takimit të 27 shkurtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se ka qenë i gatshëm për nënshkrim, por se kjo është refuzuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.