Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lajçaku shkon edhe në AAK, pritet nga Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka pritur në takim Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ky i fundit pas takimeve me krerët institucional dhe liderët e dy partive opozitare, atë Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe të PDK-së, Kadri Veseli pritet të diskutojë edhe me atë të AAK-së, Ramush Haradinaj për ecurinë e dialogut me Serbinë.

"Prita në takim përfaqësuesin special të BE-së për dialogun z. Miroslav Lajçak, me të cilin diskutuam për zhvillimet dhe progresin e dialogut. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës qëndron e përkushtuar në procesin e dialogut, i cili përfundon me njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Marrëveshja e 4 shtatorit e arritur në Shtëpinë e Bardhë, është tregues se Kosova është gati që të marrë përgjegjësitë, me garancat e partnerëve strategjik. I shpreha z. Lajçak qëndrimin, se Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë përpjekjet dhe se është koha për marrëveshje finale. Çdo zgjatje e procesit nuk i ndihmon paqes dhe stabilitetit në rajon", ka shkruar Haradinaj në Facebook. 

Ndërsa, pas këtij takimi diplomati i BE-së, pritet të takojë liderin e Nismës, Fatmir Limaj dhe atë të AKR-së, Behgjet Pacolli.

Kjo është vizita e dytë e Lajçakut në Kosovë prej kur ka marrë përsipër fasilitimin e dialogut Kosovë-Serbi./Kp