Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lajçaku kërkon takim të ri Kosovë-Serbi

Lajçaku kërkon takim të ri Kosovë-Serbi

I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u ka bërë thirrje kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për një takim të ri, për të vazhduar diskutimet për çështje të ndryshme.

Thirrja e tij vjen pasi të enjten palët dështuan të merren vesh për targat.

“Sot nuk është arritur marrëveshje për targat. I ftoj kryenegociatorët të takohen sërish në ditët në vijim për të rënë dakord mbi rrugën përpara dhe për të vazhduar diskutimet për çështje të tjera aktuale. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Zv.kryeministri Besnik Bislimi ka konfirmuar të enjten mbrëma se takimet gjithëditore në Bruksel nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje me Serbinë.

"Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draft-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit", tha Bislimi.