Përfundon takimi në Bruksel, s’ka marrëveshje

Përfundon takimi në Bruksel, s’ka marrëveshje
Zv.kryeministri Besnik Bislimi ka konfirmuar të enjten mbrëma se takimet gjithëditore në Bruksel nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje me Serbinë, ka njoftuar korrespondenti i KOHËS, Augustin Palokaj.
"Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draft-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit", tha Bislimi.
Rreth orës 17:30, kanë përfunduar takimet e ndërmjetësuara nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ku është biseduar për targat dhe për të tjera çështje.
“Përgjatë këtyre gjashtë muajve kemi pasur fare pak interesim nga pala serbe që të merren me kërkesat që i ka paraparë pika 3. Në vend të saj ata janë marrë me elemente margjinale, që tregojnë se thjeshtë duan të sabotojnë punën e grupit punues. Edhe sot kur u konfrontuam me faktin e hidhur që pala serbe nuk do zgjidhje, ne u munduam që të gjejmë një opsion kalimtar, duke e bartur përgjegjësinë e grupit punues tek kryenegociatorët për një periudhë kohore 30 ditësh. Edhe këtu Serbia nuk ishte e gatshme të bashkëpunojë kështu që mund të them se ideja për arritjen e një marrëveshjeje për targat ka dështuar”, shtoi Bislimi.
Të enjten në mbrëmje (21 prill) skadon marrëveshja e përkohshme për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Lajçaku njofton për fillimin e takimit Kosovë - Serbi, tregon agjendën
Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar për fillimin e takimit me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak është takuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtorin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Ai ka thënë se do të diskutohet për targat, si dhe për implementimin e marrëveshjeve të kaluara dhe për takimin e nivelit më të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Takimi i sotëm i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë ka nisur dhe është në proces e sipër. Ne kemi një agjendë të mbushur me çështjet aktuale, përfshirë edhe atë të targave, implementimin e marrëveshjeve të arritura në të kaluarën në dialog dhe përgatitjen e terrenit për takimin e radhës të nivelit të lartë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Nisin takimet në Bruksel për targat
Në Bruksel ka nisur takimi midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, teksa sot është afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave.
Fillimisht Bislimi do të mbajë takim vetëm me Lajçakun dhe më pas në takim do të bashkohen edhe anëtarët e tjerë të delegacionit të Kosovës.
Më herët gjatë 21 prillit, Lajçak zhvilloi takime me delegacionin e Serbisë, të kryesuar nga Petar Petkoviq.
Ende nuk dihet nëse do të ketë një takim trilateral, pra një takim ku të tre do të jenë bashkë.
Më herët gjatë ditës, zyrtarët evropianë paralajmëruan nevojën e arritjes së një marrëveshjeje.
“Ne vazhdojmë t'ua kujtojmë se është urgjente të gjendet një gjuhë e përbashkët. Kjo do të kërkojë fleksibilitet politik dhe kompromis. Nuk mund të presim sepse disa nga çështjet kërkojnë veprim urgjent nga ana jonë”, tha Elsa Fenet, shefe e divizionit të Ballkanit Perëndimor në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm.
Kosovës dhe Serbisë sot, më 21 prill, u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.
Nga burimet në BE më herët kanë thënë se për çështjen e targave janë identifikuar disa ide, por palët e kanë përgjegjësinë që të pajtohen për njërën prej këtyre zgjidhjeve.
Lajçaku më 20 prill porositi se u takon kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë “një marrëveshje për të lëvizur përpara” sa i përket çështjes së targave, kur të takohen më 21 prill.
Ai tha përmes një postimi në Twitter se ekspertët e Kosovës dhe Serbisë më 20 prill kanë mbajtur në Bruksel takimin e fundit të grupeve punuese.
“Me punën e tyre, ata kanë përgatitur diskutimet e kryenegociatorëve, që do të mbahen nesër [e enjte, 21 prill]. Tani, u takon kryenegociatorëve që të arrijnë një marrëveshje për të lëvizur përpara”, shkroi Lajçak në Twitter.
Të enjten (21 prill) pritet të mbahet një takim i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Takimi i praparë për të enjten në Bruksel, pritet të mbahet rreth orës 13:00.
Ndërkaq, një ditë para skadimit të afatit, Mirosllav Lajçak, ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Lajçak nga Beogradi porositi se BE-ja pret që palët t'i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.
Deri më tash, palët nuk kanë dhënë sinjale - të paktën jo publikisht - se janë afër një marrëveshjeje të përhershme për targat./REL
Dita e fundit e marrëveshjes së përkohshme për targat – Brukseli pret kryenegociatorët
Të enjten e 21 prillit skadon marrëveshja e përkohshme për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në ditën e fundit do të mbahet edhe takimi në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve për të arritur marrëveshjen për të ardhmen.
Një ditë më herët, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njoftoi për takimin e fundit të grupeve punuese të të dyja shteteve për çështjen e targave. Ai shkroi në Twitter se Kosova e Serbia do të takohen të enjten në nivel kryenegociatorësh “për ta gjetur marrëveshjen për rrugën përpara”.
Takimet e grupeve punuese u parapanë në pikën e tretë të marrëveshjes për targat, të cilën dy shtetet e patën arritur në Bruksel më 30 shtator të 2021-s. Dy pikat e para të realizuara ishin zhbllokimi i pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak dhe tërheqja e policisë nga atje, si dhe mbulimi me letra ngjitëse i simboleve shtetërore në targa. Kjo marrëveshje u arrit pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa ndaj Serbisë dhe dërgimin e Njësisë Speciale të Policisë për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit. Në kundërshtim të tij, serbët për rreth dy javë bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Në mes të marsit, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, që përfaqëson Qeverinë e Kosovës në këto negociata, pati bërë të ditur se janë tri opsione në tavolinë pas marrëveshjes së përkohshme që skadon më 21 prill.
Sipas tij, ndër propozimet është mbajtja e targave ekzistuese pa stikerë fare, dhe dy tjerat për t’i modifikuar targat si të Serbisë ashtu edhe të Kosovës.
Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti u shpreh se pala kosovare do të ulet në tavolinën e bisedimeve për të arritur marrëveshjen përfundimtare vetëm me parimin e reciprocitetit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Qeveria ndan 6 milionë euro shtesë për rrugën Prishtinë-Podujevë

Vuçeviq: Serbia e zhgënjyer me reagimin e KFOR-it

Kurti: Është jetike ringjallja e pluralizmit politik në mesin e serbëve të Kosovës

Policia vazhdon të qëndrojë në udhëkryqin që shpie për Banjskë

Mblidhen 32 mijë dollarë në SHBA për familjen e policit Bunjaku

Mediat e Vuçiqit “në zi”, sulmuesit e armatosur i cilësojnë “heronj”

Politikani serb: Të ndalohet puna politike e organizatës kriminale “Lista Serbe”

Qeveria ndan 50 mijë euro për familjen e policit të vrarë në Banjskë

Sot vendoset si të procedohet tutje pas përfundimit të bastisjeve në Banjskë

Mot kryesisht me diell sot

DASH: Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për shtensionim është i nevojshëm
