Vizitën e Miroslav Lajçakut gjatë javës së ardhshme, të shtunën e ka konfirmuar Qeveria e Kosovës. Ndonëse nuk kanë dhënë detaje lidhur me këtë vizitë, nga ekzekutivi kanë thënë se Lajçaku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe udhëheqësin e delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi. Por, sipas korrespodentit të KOHËS në Bruksel, qëndrimi i Lajçakut në Kosovë është në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, javën e ardhshme.
Një gjë e tillë është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës, porse zëdhënësi Përparim Kryeziu, nuk ka dhënë detaje shtesë të kësaj vizite.
“Ne do ta presim për vizitë z. Lajçak në mesin e javës së ardhshme, gjatë së cilës do të takohet me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi”, ka thënë ai.
Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se kjo vizitë është në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Duke pasur parasysh se do të kemi zgjedhje në Kosovë, e më pas në pranverë zgjedhje edhe në Serbi, sikur edhe faktin se zgjedhje do të zhvillohen edhe në Gjermani dhe Francë, nuk pritet ndonjë përparim konkret në kuadër të dialogut. Gjithsesi, Lajçaku dhe ekipi i tij duan të lënë përshtypjen se puna po vazhdon dhe se në këtë mënyrë arsyetohet edhe ekzistimi i postit të të dërguarit të posaçëm për dialog dhe ekipit të tij”, është shprehur Palokaj.
Përveç Kosovës, sipas Palokajt, Miroslav Lajçak pritet të vizitojë edhe Serbinë.
“Lajçaku, pas raundit të fundit të dialogut, ka pranuar se palët janë shumë larg njëra -tjetrës me qëndrime dhe se mbetet shumë punë për t’u bërë. Në fakt, edhe Lajçaku është duke u përballur me faktin se pas 1 viti e gjysmë prej kur ka nisur mandatin nuk ka pasur lëvizje pozitive në dialog, e lërë më afrim për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve”, ka bërë të ditur ai.
Pas takimit me përfaqësues të delegacionit të Serbisë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, të mërkurën ka deklaruar se gjatë muajit shtator nuk do të ketë takim të nivelit të lartë. Sipas tij, e gjithë kjo për shkak të mospërparimit të mjaftueshëm për të organizuar një takim të tillë.