Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lajçak: Po i përcjell nga afër zhvillimet lidhur me Rregulloren e re të BQK-së

Miroslav Lajçak

Miroslav Lajçak

Foto: Driton Paçarada

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, derisa ka bërë një përmbledhje javore të aktivitetit të tij, ka përmendur udhëtimin e tij për në Prishtinë dhe Beograd, ku ka diskutuar për gjendjen aktuale të situatës dhe hapat e ardhshëm në negociata.

Sa i përket vizitës së tij në Prishtinë, Lajçaku ka thënë se me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti kanë diskutuar edhe për gjendjen aktuale të marrëdhënieve BE-Kosovë.

“Duke reflektuar mbi udhëtimin, bisedat e thella me liderët dhe kryenegociatorët nga të dyja palët ishin në kohë dhe të rëndësishme, duke na lejuar të shprehim pritshmëritë tona për muajt e ardhshëm dhe të diskutojmë se për çfarë do të punojmë”, ka shtuar ai.

Ai e ka quajtur javë të ngarkuar, duke përmendur edhe ndjekjen e zhvillimeve në lidhje me Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme, për çka ka thënë se ndikon te komuniteti serb që jeton në Kosovë.