Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lajçak: Palët ranë dakord për zgjedhje të reja, duhet të mbahen në muajt e ardhshëm

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se palët janë pajtuar në Bruksel që zgjedhjet e reja janë kyçe për të dalë nga kriza në veriun e Kosovës, duke shtuar se nuk ka afat zyrtar për to, por se pret që të mbahen në muaj e ardhshëm.

Lajçaku ka thënë për Euronews se situata në veri është aq serioze dhe e tensionuar sa zyrtarët më të lartë të botës duhet të merren me të, dhe se ndikon në imazhin e Kosovës, Serbisë dhe rajonit.

“Kemi pasur qindra njerëz në rrugë për më shumë se një muaj. Kemi pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Kjo është situatë që qartë tregon se provokimet mund të ndodhin dhe për ne kryesore është depërshkallëzimi”, ka thënë ai.

Lajçak ka thënë se nuk ka gisht në masat që ka marrë Bashkimi Evropian kundër Kosovës.

Ai i ka dhënë mbështetje iniciativës së kryeministrit të Shqipërisë për Asociacionin.

“Propozimi i tij për Asociacionin e komunave serbe është një dokument shumë serioz dhe i mirë. E kemi analizuar dhe mendoj se është një punim cilësor. Sigurisht, ai vjen nga jashtë procesit. Sipas të gjitha dokumenteve nga dialogu, është e qartë se statuti i Asociacionit duhet të ndërtohet në dialog. Por për sa i përket thelbit dhe përmbajtjes, ka elemente që mund të përdoren”, ka thënë Lajçak.