Arbëri

Lagjja “Bejtush Gerbeshi” në Lipjan futet në karantinë

Foto: KOHA

Pasi tre persona u infektuan me Covid-19 në rrugën “Bejtush Gerbeshi” në Lipjan, ministria e Shëndetësisë merr vendim që kjo lagje të futet në karantinë.

Ndërkohë, edhe komuna e Lipjanit tashmë e ka pranuar këtë vendim, derisa kryetari i kësaj komune Imri Ahmeti ka thënë se komuna është detyruar ta fusë këtë lagje në karantinë.

“Jemi të detyruar në mbrojtje të shëndetit publik duke u referuar në rekomandimet e IKSHPK-së dhe në konsultim me Ministrin e Shëndetësisë është marrë vendim nga Ministri i Shëndetësisë që lagjja mbrapa stadiumit në Lipjan të futet në karantinë”, ka thënë Ahmeti, raporton Koha.

Sipas tij, janë të vetëdijshëm për nevojat që mund të kenë qytetarët e kësaj lagje, andaj ka kërkuar të përmbahen duke siguruar që ekipet emergjente do jenë afër tyre për çdo nevojë.

“Ne kemi përcaktuar ekipet mobile që do të jenë çdo ditë në çdo kohë për tu dal në ndihmë secilës familje që ka nevojë në këtë lagje. Në këtë rast falënderoj ekipet emergjente pranë administratës, stafin e mjekëve, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit, Njësinë e pastrimit në Lipjan dhe gjitha ekipet tjera mobile që po punojnë 24/7 për të përballuar këtë situatë”, ka shtuar Ahmeti.

Ai ka uruar shërim sa më të shpejtë të diagnostifikuarve pozitivë me koronavirusin Covid-19, andaj ka apeluar për kujdes për ta tejkaluar këtë sfidë.