Deputetët e Kuvendit të Kosovës të premten kanë zhvilluar seancë plenare, ku kanë miratuar disa projektligje. Gjatë seancës, me 90 vota për është votuar rezoluta për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998-1999. Por, nuk ka kaluar ajo për rritjen e çmimeve të naftës që parashihte uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 për qind në 8 për qind, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm, përfshirë bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.
Tutje deputetët kanë miratuar katër marrëveshje ndërkombëtare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo-Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës,
-Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika,
-Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën,
-Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0.
Kuvendi po ashtu ka zgjedhur Arlinda Muqën, anëtare joprokurore e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Kuvendi miraton katër marrëveshje ndërkombëtare
Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten disa marrëveshje ndërkombëtare.
Deputetët kanë miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika, Marrëveshjen e Kredisë ndërmjet Kosovës dhe KfW, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën, si dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0.
S’kalon rezoluta e LDK-së për çmimin e naftës
Deputetët nuk e kanë votuar rezolutën e LDK-së për çmimet.
Rezoluta parashihte uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 për qind në 8 për qind, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm, përfshirë bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.
VIDEO: Momenti i votimit
Rroga e 13-të përplas ministrin e Financave me deputetin e AAK-së
Ndarja e pagës së 13-të për sektorin publik ka nxitur debat mes ministrit të Financave, Hekuran Murati, me deputetin e AAK-së, Besnik Tahiri. Tahiri i ka kërkuar përgjigje Muratit për ndarjen e kësaj page dhe ka kërkuar përgjegjësi për sektorin privat.
Murati ka thënë se nëse do opozita që edhe për sektorin privat të bëhet një gjë e tillë, kjo mund të bëhet me ligj.
“Ne kemi ndarë 70 milionë euro në dhjetor të vitit të kaluar janë dhënë si pagese e njëhershme prej 100 eurosh. Tashmë çdo vit jepen 200 milionë euro për lehonat dhe fëmijë. Ka pasur rritje të pagës minimale. Sa i përket pagës së 13 i kemi dhënë ato paga sepse ne jemi punëdhënësi për sektorin publik. Nëse ju mendoni qe edhe sektori privat duhet ta bëjë një gjë të tillë këtë ndoshta mund ta amandamentojmë me ligj. Nëse mendoni se duhet të bëhet obligative me ligj jemi të hapur ta bëjmë një gjë të tillë”, u përgjigj Murati.
Por, Tahiri edhe një herë ka kërkuar përgjigje konkrete për punonjësit e sektorit privat.
“Pashë zotin a e dëgjuat ministrin çka tha, tha pensionistëve u kemi dhënë mbështetje, pensionistëve, lehonave, ata s’janë në punë, kjo e ka emrin skemë sociale. Jemi për mbështetje të tyre. Fëmija 13 vjet nuk punon. Të fola shqip, thashë ja ke dhënë 65 milionë për pagën e 13, çka ke bërë për sektorin privat, për atë që është në skele, gratë në supermarkete, për gazetarët”, u shpreh Tahiri.
Abrashi i kërkon Haxhiut ta emërojë anëtarin e tretë të LVV-së në KQZ
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i ka kërkuar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiut, emërimin e anëtarit të tretë të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ.
Sipas tij, duke qenë grupi më i madh parlamentar, u takon anëtari i tretë.
“E nderuara zonja Haxhiu, ju bëj thirrje që krahas detyrave tuaja të reflektoni dhe ta emëroni anëtarin e tretë të LVV-së në KQZ. Neve si Grupi Parlamentar më i madh në historinë e Kuvendit të Kosovës na takon anëtari i tretë. Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë. Ju bëj thirrje të reflektoni karshi detyrave tuaja kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë ai.
Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, sot në Kuvend i ka kërkuar Haxhiut ta emërojë anëtarin e dytë të PDK-së në këtë institucion.
Të dy partitë e kanë kërkuar ulësen e fundit në KQZ – VV-ja të tretën e PDK-ja të dytën.
Miratohet rezoluta për të vërtetën e luftës
Rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për mbrojtjen e viktimave dhe për të vërtetën historike të luftës, është miratuar në Kuvend të premten. Rezoluta i ka marrë 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Në këtë rezolutë përfshihet edhe pika për inicimin e dënimit të atyre që mohojnë ose minimizojnë krimet serbe. Propozimi i kësaj rezolute erdhi pas ekspozitës në sheshin e Prishtinës e cila pasqyroi të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë.
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka lexuar përmbajtjen e rezolutës:
-Kuvendi thekson se është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës që të kryejnë hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të Serbisë në Kosovë.
-Inkurajon institucionet e drejtësisë të vazhdojnë punën e nisur për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë.
-Nderon me përulje sakrificën sublime të popullit shqiptar, të të gjithë dëshmorëve të kombit dhe atyre që kontribuon dhe u sakrifikuan për liri dhe pavarësi.
-Dënon çfarëdo përpjekje zyrtare ose tjetër dhe çfarëdo deklarimi të zyrtarëve publike që synon ose angazhohet për amnistimin e Serbisë nga përgjegjësia për krimet e kryera në Kosovë
-Dënon çdo formë të shtrembërimit, relativizimit apo paraqitjes së pasaktë të fakteve që lidhen me luftën në Kosovë 1998-99.
-Dënon nismat si ekspozita e fundit e ekspozuar në Prishtinë, që me pasaktësi në të dhënat për masakrat e Serbisë nxisin reagime të gjera dhe provokojnë ripërjetimin e dhimbjeve duke rrezikuar deformimin e së vërtetës dhe fakteve historike.
-Fton institutin e krimeve të kryera në Kosovë qe sa më parë të hulumtojë dhe dokumentojë të dhënat e sakta mbi masakrat kryera në Kosovë nga Serbia, dhe të pasqyrojë të vërtetën historike në mënyrë të saktë dhe të plotë.
-Fton institucionet shtetërore, institucionet akademike dhe institutet kërkimore, mediat, OJQ-të, shoqatat profesioniste të fushë, qytetarët e familjarët e viktimave që të angazhohen në grumbullimin e fakteve, provave, dëshmive, e argumenteve duke i deponuar në Institutin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
-Mbështet dhe inkurajon përgatitjet për paditjen e Serbisë për krimet gjenocidale të kryera në Kosovë.
-Fton organet e drejtësisë që të zhvillojnë hetim të plotë, të pavarur, të paanshëm, lidhur me praninë eventuale të elementeve penale në rastin e prezantimit të të dhënave të pasakta dhe të zbardhen deri në fund rastet e mundshme.
-Obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Presidencën që të reagojnë në kohë reale dhe profesionalisht në raste kur nëpër forume ndërkombëtare ose deklarata publike sulmohet e vërteta e luftës në Kosovë.
-Obligon institucionet përgjegjëse që çdo aktivitet, ekspozitë apo publikim që trajton periudhën e luftës të bazohet në burime të verifikuara dhe konfirmuara nga Instituti i Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, ndonjë institucion kërkimor shkencor dhe në vendimet përfundimtare të institucioneve të drejtësisë që të shmanget çdo interpretim që cenon dinjitetin e viktimave dhe të vërtetën e luftës çlirimtare.
-Inkurajon komunitetin akademik, shoqërinë civile dhe studiuesit në dokumentimin e saktë dhe të bazuar në fakte të historisë së luftës në Kosovë.
-Zotohet se do të ndërmarrë veprimet legjislative për plotësimin e Kodit Penal me qëllim që parashihen dënime për personat që mohojnë ose minimizojnë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
-Zotohet të parashihen dënime edhe për personat që kryejnë veprime që cenojnë dinjitetin e viktimave, miratojnë, glorifikojnë apo justifikojnë tiraninë dhe sundimin arbitrar të Serbisë, si dhe krimet e kryera prej saj në Kosovë, apo përhapin propagandën e Serbisë.
-Kërkon që Kuvendi dhe çdo institucion tjetër para se të mbështesë financiarisht apo çfarëdo mënyrë aktivitetet që kanë qëllim prezantimin e periudhën së luftës, apo përmbajnë elemente nga lufta, të sigurohen për saktësinë e të dhënave.
-Ndalon financimin apo mbështetjen e organizatave që organizojnë apo promovojnë projekte që deformojnë të vërtetën historike dhe fyejnë viktimat.
-Konfirmon përkushtimin e plotë të Kuvendit për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e së vërtetës historike.

(Foto: Driton Paçarada)
VIDEO:
Tahiri: Qeveria nuk po kërkon zgjidhje, synon bllokada
Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri, ka thënë se qëllimi i kësaj qeverie është që të mos ketë zgjidhje, por të ndërtohet bllokadë.
Ka shtuar se synimi është që të normalizohet funksionalizimi me qeveri në detyrë.
Ka bërë thirrje që sa më shpejtë të sillet në Kuvend programi politik.
“Nesër bëhen dy muaj prej kur ky Kuvend e ka votuar Qeverinë e Kosovës. Përderisa na kanë mbetur edhe 17 ditë deri te shpërndarja e këtij parlamenti. Ajo që do të ishte një konkluzion i përbashkët është se kjo qeveri e ka bllokuar Kosovën prej prodhimit të krizave të njëpasnjëshme. A ka logjikë që 17 ditë i kanë mbetur këtij kuvendi të arrijë marrëveshjen për presidentit dhe… e shoh bukur problematike situatën kur krizat janë mbiemri i kësaj qeverie”, ka thënë ai.
PDK-ja i kërkon Haxhiut ta kompletojë KQZ-në sipas Kushtetutës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka kërkuar sërish në emër të grupit emërimin e anëtarit të dytë të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Deliu në seancën plenare të Kuvendit ka thënë se të enjten është përmbyllur afati për përbërjen e re të KQZ-së. Edhe pse ajo ka thënë se të enjten ka përfunduar afati, 11 prilli është afati i fundit ligjor për ta bërë emërimin.
“Dje është përmbyllur afati 60 ditor për përbërjen e re të KQZ-së. Aktvendimi i Kushtetueses e ka sqaruar këtë çështje. Përbërja e KQZ nuk e reflekton proporcionalisht fuqinë politike por vetëm numrin e grupeve parlamentare. Se PDK-së i takon anëtari i dytë e kanë konfirmuar edhe organizata të shoqërisë civile. PDK kërkon nga u.d e presidentes ta kompletojë KQZ ashtu siç e parasheh kushtetuta. Çdo vendim tjetër i zonjës haxhiu do të përbënte shkelje kushtetuese”, ka thënë Deliu.
Kushtetuta kërkon që gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga 6 grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara. E, nëse në Kuvend ka më pak grupe parlamentare, sipas Kushtetutës, grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.
Arrihet pajtueshmëri që rezoluta e PDK-së të votohet si pikë e parë e rendit të ditës
(Tekst i përditësuar 12:02) - 86 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë votuar që rezoluta për mbrojtjen e viktimave të luftës e propozuar nga PDK-ja të vendoset si pikë e parë të rendit të ditës, pas pyetjeve parlamentare.
Pas një konsulte me shefat e grupeve parlamentare me kryetaren e Kuvendit, deputetët që ishin të angazhuar të punojnë në harmonizimin e tekstit janë larguar nga salla për t’i vazhduar punimet në tekstin e rezolutës.
Rezoluta për çmimet e propozuar nga LDK-ja, nga pika e nëntë u zhvendos në pikën e gjashtë.
Rendi i ditës u vota me 91 vota për.
Gjatë kësaj kohe Lista Serbe ka lëshuar sallën e seancave.
Sërish mospajtime për rezolutën e PDK-së, s’merren vesh se në cilën pikë ta trajtojnë
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar sërish që rezoluta për mbrojtjen e viktimave të luftës të votohet në këtë seancë si pikë e parë e rendit të ditës.
Ajo ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare për kontributin në hartimin e tekstit të rezolutës, duke thënë se nuk ka çështje më të rëndësishme se kjo për votim.
“Sa kuptova tashme është arritur dakordim. Mirëpo ne insistojmë që kjo pikë të trajtohet si pikë e parë e rendit të ditës. Sepse nuk ka çështje më të rëndësishme se kjo për trajtim. Nuk është turp as dobësi që shumica parlamentare ta pranojë një kërkesë të PDK-së”, ka thënë ajo.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se dy deputetë po punojnë në tekstin e rezolutës, duke shtuar se ajo mund të votohet sapo të përfundojë puna.
“Unë ju kisha lutur ta lëmë sipas rendit të ditës të propozuar tashmë dhe sapo ta kemi dakordimin final të rezolutës ta miratojmë atë”, ka thënë ajo.
Shefja e GP të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka kërkuar që para marrëveshjeve ndërkombëtare të votohet rezoluta për ngritjen e çmimeve të naftës.
“Përmbajtja e ligjeve është tepër e rëndësishme por nuk ka urgjencë të shihemi si makineri votimi e ligjeve që ju i sillni me urgjencë. Propozojmë që rezoluta jonë të dalë para marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri ka pyetur se ku qëndron problemi i Vetëvendosjes që sipas tij, nuk do ta vendosë si pikë të parë të rendit të ditës.
Ka shtuar se nuk e di se si do të merren vesh për presidentin kur nuk po arrijnë të merren vesh as për një rezolutë.
Rezoluta është vendosur në votim që të trajtohet para pyetjeve parlamentare por ka pasur mungesë kuorumi. Vetëm 52 deputetë kanë marrë pjesë në votim.
Opozita s’e miraton ndryshimin e rendit të ditës të propozuar nga LVV-ja
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që në rend dite në seancën plenare të futen tetë projektligje, në mesin e tyre ai për çmimet tavan, për lojërat mesdhetare, për banimin social, për sigurimet shëndetësore, e të tjerë.
Por, pa mbështetjen e partive të tjera opozitare këto projektligje nuk arritën të futeshin në rendin e ditës së premte, 10 prill.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se këto projektligje nuk janë urgjente për t’u shqyrtuar nga e premtja.
“PDK e konsideron se këto propozime nuk janë asnjë urgjente dhe si të tilla nuk e mbështet asnjë të trajtohet jashtë procedurave të rregullta. Kjo është vetëm tendencë për të krijuar agjendë të re të fushatës zgjedhore”, ka thënë ai.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka quajtur të paarsyeshme futjen në rend dite të këtyre projektligjeve.
“Projektligje që kanë kaluar këtë javë në komisione dhe po vinë për tu miratuar në procedurë të përshpejtuar. Temat janë tepër të rëndësishme por jo në periudhën për të cilën duhet të shqyrtohen, sepse kërkojnë të analizohen. Kjo urgjencë është e paarsyeshme dhe nuk do të përkrahet nga ne”, u shpreh ajo.
E, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, derisa ka thënë se po ashtu nuk mbështet ndryshimin e rendit të ditës, ka kërkuar që kjo të mos kthehet në praktikë parlamentare.
“Nuk ka logjikë të prishet rendi i ditës çdo seancë. Jo që nuk e mbështesim por kjo kërkoj të mos kthehet në praktikë parlamentare”.
Vetëm Grupi Parlamentar multietnik i dha mbështetje të gjitha projektligjeve.