Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, e cila është pikë e parë e rendit të ditës.
Marrëveshja për Lojërat Mesdhetare është votuar unanimisht.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKuvendi gjithashtu ka miratuar edhe katër marrëveshje ndërkombëtare.
Është miratuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për tregti të lirë mes Kosovës dhe shteteve të EFTA-s, ku bëjnë pjesë Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, si dhe protokollet 5, 6 dhe 7 të aderimit dhe amendamentimit të marrëveshjes për tregti të lirë të Evropës Qendrore.
Seanca po vazhdon të mbahet me pika të tjera të rendit të ditës.
Zgjidhen tre anëtarë të KSHC-së, kundër votoi edhe Haxhi Avdyli i LVV-së
Më 57 vota për, një kundër dhe katër abstenime, Kuvendi i Kosovës zgjodhi tre anëtarë të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim: Driton Vela, Florim Gallopeni dhe Shkurtë Bajgora.
Sipas opozitës, emërimi i tyre është kapje e institucioneve të pavarura. E, kësaj radhe kundër votimit ishte edhe deputeti i mazhorancës, Haxhi Avdyli.
Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, tha se institucionet po rrezikohen të shndërrohen në instrumente politike.
“Në vazhdën e këtyre dështimeve të Kurtit sot në këtë seancë jemi të gjithë dëshmitarë të tentativës së qartë për politizim në arsim. Rasti i fundit është përshpejtimi dhe ndërhyrjet në bordet e institucioneve të pavarura si Agjencia e Akreditimit. Institucionet që duhet të jenë nga rendi i cilësisë, të pavarura dhe profesionale fatkeqësisht po rrezikohen të shndërrohen në instrumente politike. Dhe mbi të gjitha ironike, si pikërisht sjelljet: VV-ja ka proklamuar përparime se këto borde duhet të jenë neutrale, sot po shfaqen haptas për kapjen e institucioneve të pavarura të shtetit”, tha Jashari.
Shefja e grupit parlamentarë të LDK-së, Jehona Lushaku, tha se Agjencia e Akreditimit nuk është zyrë partiake e pushtetit.
“Po flasim për një proces përzgjedhjeje, e cila është jashtë afateve kohore, është bërë vlerësim për 48 orë dhe duke anashkaluar edhe procedurat jo vetëm afatet. Kur e paramendoni për institucionin, për të cilin po flasim, për arsimin po flasim për tentimkapjen dhe politizimin e saj. Tash edhe konkretisht bëhet fjalë për instalimin e njerëzve të partisë së VV-së në këtë bord. Driton Vela ish- kandidat për deputet i tyre. Agjencia e Akreditimit nuk është zyrë partiake e pushtetit”, tha Lushaku.
Kundër u shpreh edhe Time Kadrijaj nga AAK-ja. Ajo përmendi edhe qëndrimin dikur të VV-së që institucionet duhet të jenë të pavarura.
“Po shihet qartë tendenca e VV-së. Të kujtohen premtimet, me të cilat keni ardhur në pushtet. Të afërmit, militantët e partive politike, jo në dasma e ahengje, këto kanë qenë fjalët e VV-së se keni thënë se institucionet duhet të jenë të pavarura. Po ashtu, keni ardhur me premtimin çkapjen e institucioneve. E çka po bëni ju? Po i kapni rend institucionet edhe këto ditë duke ditur që ka zgjedhje, me procedura të përshpejtuara po sillni ligje”, tha Kadrijaj.
Kësaj radhe kundër ishte edhe deputeti i VV-së, Haxhi Avdyli. Ai kërkoi që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për një seancë të radhës, nëse jo do të abstenojë ose të votojë kundër.
Sipas tij, me nominimin e tre kandidatëve nuk i bëhet nder Agjencisë për Akreditim.
“Duke u bazuar në vërejtje të shumë organizatave joqeveritare, monitoruese të arsimit dhe profesionistëve shëndetësorë e arsimorë, unë kisha kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet në një seancë të radhës. Nuk po flas në aspektin as profesional, as politik, por po flas se duke i njohur edhe kandidatët e nominuar, të cilët edhe në aspektin profesional janë shumë më profesional. Nëse kjo vazhdon unë nuk do votoj ose do të votoj kundër. Besoj që nuk i bëjmë nder kësaj agjencie”, u shpreh ai.
Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, iu kundërpërgjigj se jemi bashkë në përgjegjësitë tona shtetërore për ta ruajtur integritetin e një institucioni.
“Unë e kuptoj drejt dhe dua të besoj që shqetësimin e keni përnjëmend. Këtu jemi bashkë në përgjegjësitë tona shtetërore për ta ruajtur integritetin e një institucioni, siç është Agjencia e Akreditimit. KSHC-ja duhet të jetë funksionale plotësisht me përbërje të plotë dhe ky ka qenë motivi kryesor pse jemi angazhuar. Unë ju siguroj që bashkë me stafin civil dhe të tjerët kemi bërë përpjekje maksimale për të respektuar në plotëni procedurën ligjore”, tha Çeku. /KSP
Përcillet me debat zgjedhja e Komisionit të ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës
Me 63 vota për, 4 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës zgjodhi anëtarët e Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, me Arian Gashin kryetar.
Ersan Qavolli u zgjodh zëvendësanëtar për lëndën e së drejtës penale, ndërsa Lumni Salihuka dhe Arsim Hamza për lëndën e së drejtës civile.
Anita Prenaj Krasniqi dhe Suada Rama Hamza do të mbulojnë lëndën e së drejtës kushtetuese dhe bazat e sistemit gjyqësor.
Për të drejtën tregtare dhe të punës u zgjodhën Burim Shala dhe Nehat Çelaj, ndërsa për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e Bashkimit Evropian, Bujar Muzaqi dhe Hysni Ismaili.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla tha se ky projektligj duhet të miratohet, sepse kjo garanton një proces të drejtë për juristët që aspirojnë dhënien e provimit të jurisprudencës.
Megjithatë votimit të tyre i parapriu debati mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, deklaroi se janë pranuar mbi 234 ankesa të cilat fokus kishin në punën e komisionit.
“Bazuar në kompetencat ligjore dhe në përgjegjësinë e mbikëqyrjes së këtij procesi, Ministria e Drejtësisë ka analizuar tërë procesin dhe ka bërë një vlerësim për tre afatet e mbajtura nga komisioni aktual. Për këto afate të mbajtura, ministria kishte pranuar mbi 243 ankesa, të cilat fokus kishin në punën e komisionit. Në aspektin statistikor, analiza krahasuese ndërmjet dy periudhave tregon një shpërputhje të standardit të vlerësimit. Ndërkohë, në periudhën 2023–2025, kalueshmëria në provim sillet në 3 dhe 4%, ndërsa në komisionin paraprak 2021-2023 arrinte mbi 34%. Një devijim i tillë nuk reflekton një standard të qëndrueshëm”, u shpreh ajo.
Ajo tha se për më shumë se dy vjet, i tërë procesi me komisionin aktual është shoqëruar me probleme, duke filluar nga mungesa e transparencës. Gërvalla shtoi se e tërë kjo ka dëmtuar besueshmërinë e procesit dhe ka cenuar integritetin e tij, duke ndikuar në mbarëvajtjen e tij.
Ndërsa, zëvendëskryetari i komisionit aktual Vigan Qorolli bëri të ditur se është ndryshuar vendimi i Qeverisë, ashtu që zëvendësanëtare u zgjodh Rrezarta Lleshaj, ndërsa zëvendësanëtar Hysni Ismaili.
Sipas opozitës, është shkelje e Kushtetutës ndryshimi i komisionit pa u shkarkuar ai aktual dhe pa dhënë arsyetimet e tyre personale për shkeljet.
Kështu deputeti i PDK-së Përparim Gruda tha se nuk e përkrah këtë formë të ndryshimit të komisionit.
“Sipas Kushtetutës, kur ndërrohet një komision, nënkuptohet që shkarkohet ai paraprak, ndërsa komisioni paraprak nuk është shkarkuar. E shoh problematike në pikëpamje kushtetuese nëse anëtarët aktualë vendosin të ankohen – ata mund ta fitojnë rastin dhe ta rrëzojnë këtë vendim. Ajo që duhet të ndodhë është që secili anëtar të ketë arsyetim individual për shkarkim. E shoh problematik ndërrimin e anëtarëve në këtë mënyrë, kur nuk kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e mbështet një veprim të tillë. Prandaj, ne nuk e përkrahim këtë formë të ndryshimit të komisionit”, tha ai.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili tha se ankesat nuk janë të mjaftueshme për të vendosur një komision në kontroll.
“Po flasim për ndërhyrje në një trup profesionale që vlerëson kandidatët në një nga provimet më të rëndësishme në gjyqësi. Mund të ketë pakënaqësi dhe vërejtje, por ankesat nuk përdoren për ta vendosur një komision nën kontroll; ato trajtohen përmes proceseve të auditimit. Nuk mjafton një vlerësim individual i ministrit, aq më pak kur bëhet fjalë për meritën e provimit. Juristë të rinj – jam e bindur se edhe ata që kanë rënë në provim nuk duan ta përfundojnë atë me një “borxh politik.Vetëm dy gjëra i keni konkrete: po sillni ligje për t’i miratuar me nguti dhe nuk shoh se diçka e tillë duhet të bëhet me këtë urgjencë, përveç nëse keni vendosur të shkoni në zgjedhje, gjë që tashmë dihet”, u shpreh ajo.
Ndërsa edhe Armend Zemaj nga radhët e LDK-së akuzoj mazhorancën parlamentare se në zgjedhjen e këtij komisioni janë duke e ulur standardin.
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinajm tha se në emrat e propozuar për Komisionin e ri për dhënien e Provimit të Jurisprudencës nuk sheh cilësi të anëtarëve.
Haradinaj: Për kandidatët e komisionit - ka të panjohur që janë këtu në tavolinë
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ndalon shkarkimin grupor dhe kërkon arsyetim për secilin anëtar se çfarë shkelje ka bërë. Unë kam pritur që të shpalosni edhe ofertën për kandidatët, pra çfarë kriteri është përdorur për të ardhur në këtë përbërje, sepse ka të panjohura që janë këtu në tavolinë. Ishte dashur të përqendroheni në cilësinë e anëtarëve të komisionit të ri”, tha ai.
Ndërsa Ministrja e Drejtësisë, Gërvalla iu kundërpërgjigj Haradinajt se në emrat e propozuar do të gjejnë gjyqtarë që kanë marrë vendime të rëndësishme edhe kundër qeverisë.
“Në këtë komision do të gjeni gjyqtarë të cilët kanë marrë vendime mjaft të rëndësishme kundër kësaj qeverie. Dua të theksoj se kriteri ynë nuk ka qenë lojaliteti ndaj vendimeve të qeverisë, por propozimet që kanë ardhur nga trupa të ndryshme profesionale, të cilat kanë shprehur besimin e tyre në profesionalizmin e anëtarëve të komisionit”, tha ajo. /KP
Kuvendi nuk miraton shmangien e afatit për dy projektligje
Me 63 vota për, 45 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk ka miratuar shmangien e afatit procedural për projektligjin për Energjinë Elektrike.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, pati kritika rreth procedurave.
“Për shkak të shumë arsyeve që kemi përmendur në seancat e kaluara, por edhe për shkak se një pjesë e procedurave të këtyre ligjeve ka kaluar në dëgjime publike në legjislaturat e kaluara, gjë që bie ndesh edhe me parime të tjera. Pra, nuk kemi dëgjime publike në këtë legjislaturë. Po ashtu, kjo pjesë e ligjit për energjinë elektrike bie ndesh me disa nene të direktivave të Komunitetit të Energjisë, përkatësisht të Bashkimit Evropian. Për këto arsye, ne do të votojmë kundër”, tha ai.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, tha se do të votojnë kundër.
“Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, votojmë kundër shmangies, për shkak se ligji ka parime dhe përmbajtje që jo vetëm ndikojnë në sigurinë energjetike, por edhe në sigurinë kombëtare, në lidhje me operatorin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike (KOSTT). Ka njerëz që shqetësohen për këtë çështje dhe nuk janë pjesë e Vetëvendosjes. Për këtë arsye, ne nuk e mbështesim shmangien nga procedura e rregullt përkatëse”, tha ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ishte kundër shmangies.
“Sa i përket shmangies, mendoj se si Kuvend, edhe si pozitë edhe si opozitë, treguam pjekuri për urgjencën e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke i hequr prapavijat politike, të cilat janë shumë evidente. Mendoj se Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes nuk duhet të na mësojë për shmangie, as për këtë ligj e as për ndonjë tjetër. Ne, si parti opozitare, do të detyrohemi të kemi një qëndrim politik për shkak të pakënaqësive në këtë proces, të cilat i elaboruan edhe Ferat Shala dhe Jeta Statovci. Qëndrimi ynë është i qartë: nuk do të mbështesim asnjë shmangie, duke qenë se afati kohor po përfundon dhe nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme. Vendosja në agjendë përmes shmangies nuk do të kalojë dhe do të jetë vetëm humbje kohe”, tha Tahiri.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, iu përgjigj opozitës, duke thënë se po pengon reformat që mundësojnë integrimin në tregun rajonal dhe atë të Bashkimit Evropian.
“Dua të falënderoj deputetin Tahiri që e tha të vërtetën: ky është një qëndrim politik, ndryshe nga grupet parlamentare të PDK-së dhe LDK-së, të cilat po japin justifikime. Madje, z. Shala tha se konsultimet publike kanë përfunduar para një viti, ndërsa para dy ditësh tha se nuk kanë kaluar fare. Kjo tregon mungesë konsistence. Është e pasinqertë të jepen justifikime të tilla, sepse ato nuk qëndrojnë. Ky është vendimi juaj politik. Po i humbni shtetit 9 milionë euro dhe po pengoni reformat që mundësojnë integrimin në tregun rajonal dhe atë të Bashkimit Evropian. Flisni për tregtimin e energjisë, por nuk lejoni pakon e ligjeve që mundëson këtë integrim. Sidoqoftë, qëndrimi juaj është i juaji. Falënderoj deputetët e Komisionit për Ekonomi dhe të Lëvizjes Vetëvendosje për trajtimin me seriozitet të këtyre ligjeve”, ka thënë Rizvanolli.
Kuvendi nuk ka miratuar as shmangien e afateve procedurale për Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Ky projektligj mori 65 vota për dhe 44 kundër.