Arbëri

Kuvendi më në fund përzgjedh një kompani që do të auditojë raportet financiare të partive

Shpenzime enorme bëjnë subjektet politike më të mëdha në fushata elektorale.

Monitoruesit e tyre, shprehen se këto shpenzime, janë në shpërputhje edhe me të hyrat e tyre të cilave u dihet burimi: fondi që u ndahet partive parlamentare nga buxheti i shtetit përmes KQZ-së.

Më në fund, Kuvendit ia ka dalë të përzgjedhë një kompani, që do ta bëjë auditimin e raporteve financiare dhe shpenzimeve në fushatat, për vitet 2013 deri në 2016, por duhet pritur deri në konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e komisioneve.

“Operatori ekonomik me të cilin është nënshkruar kontrata është: AUDIT & CONTO. Pas nënshkrimit të kontratës Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i Kuvendit të Republikës së Kosovës do të caktojë me short auditorët të cilët do të jenë përgjegjës”, ka thënë Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës.

Kompania në fjalë, ka të deklaruar 2 punëtorë, e me Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, kërkohen të paktën 10 auditorë të licencuar.

Ymer Shatri drejtor i Audit&Conto, ka sqaruar për televizionin se para se të futeshin në konkurs, kishin arritur marrëveshje edhe me auditorë të tjerë, për të plotësuar numrin e kërkuar.

Përveç Vetëvendosjes, që ka pasur gjithë kohën një ueb-faqe funksionale dhe kishte të publikuara raportet financiare, kështu tani kanë filluar të veprojnë edhe partitë e mëdha të vendit, përjashtuar PDK-në.

KTV-ja ka kontaktuar me sekretarin e kësaj partie, Basri Musmurati, që përmes telefonit, është shprehur se do t’i dorëzojnë ato në momentin që u kërkohen nga auditori i përzgjedhur. 

Demokracia plus e ka përcjellë nga afër këtë proces dhe punën që e pret auditorin e përzgjedhur e shohin si një mision të pamundur.

Kjo organizatë, është duke punuar në një raport në shpenzimet e partive kryesore në fushatën e fundit.

Ndërsa Krenar Shala, pjesëtar i shoqërisë civile, rikujton rëndësinë e transparencës së subjekteve politike. Një prej shqetësimeve të ngritura në funksionimin e partive ka qenë lidhja e tyre me bizneset që kanë derdhur para të majme në politikë, derisa nga pushteti në këmbim kanë marrë tenderë milionësh.

Në fundin e vitit të kaluar, Bashkimi Evropian rriti presionin për të përmbushur këtë kërkesë, i ndërprerë në mungesë të përzgjedhjes së një auditori nga Kuvendi, derisa ishte futur edhe si prioritet në Agjendën për Reforma Evropiane, ku ndër të tjera parashihet edhe rishikimi i Ligjit për Financimin e Partive Politike.