Shpesh është argumentuar se korniza ligjore për financimin e partive politike në Kosovë nuk respektohet. Një nga rastet kur partitë politike bëjnë shkeljen e kësaj kornize ligjore është atëherë kur të njëjtat, duke shfrytëzuar rolin përfaqësues dhe fuqinë e tyre dhe në këmbim të mbështetjes financiare, ofrojnë pozita fitimprurëse për mbështetësit e tyre. Çdo qeveri që nga paslufta është akuzuar se privilegjon biznese gjatë proceseve të prokurimit publik, fakt ky që është përmendur në çdo raport të Komisionit Evropian. Këto praktika, të cilat kanë dëmtuar imazhin e Kosovës në qarqe ndërkombëtare, janë si rezultat i mungesës së mekanizmave të kontrollit e të cilat nëse do ekzistonin, do të rrisnin transparencën dhe llogaridhënien e partive politike. Përveç të tjerash, këto mekanizma janë të rregulluara në projektligjin për financimin e partive politike, me rekomandime të Komisionit të Venecias dhe të shoqërisë civile në Kosovë.
Për fat të keq, ky projektligj është duke u zvarritur që nga viti 2017 në agjendat legjislative të Qeverisë së Kosovës, për shkak të mungesës se vullnetit politik. Financimi i partive politike rrallë shfaqet në diskursin e elitës politike dhe nuk trajtohet me seriozitetin e duhur. Kjo gjë u pa edhe së fundmi kur gjetjet problematike të identifikuara në raportin e auditorit të pavarur u injoruan në heshtje.
Ky projektligj gjithashtu e ndryshon edhe çështjen e auditimit të partive politike, problematikë shumë e kamotshme e transparencës financiare. Projektligji, Zyrës për regjistrim dhe certifikim të partive politike, ia shton edhe fuqinë e kontrollit financiar mbi partitë politike. Rrjedhimisht duke e hequr këtë kompetencë nga Kuvendi, specifikisht nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Sipas këtij projektligji, kjo zyrë do të ishte e përbërë nga anëtarë pa një prapavijë politike dhe do të ishte përgjegjëse për zgjedhjen e auditorit në baza vjetore.
Mungesa e auditimit të rregullt, siç ndodh rëndom në Kosovë, e cenon seriozisht transparencën financiare të partive politike, të cilat marrin fonde gjatë gjithë vitit edhe nga buxheti i Kosovës, por edhe nga donatorë të tjerë, duke përfshirë personat fizik dhe juridik, fonde këto që shumë shpesh janë në kundërshtim me ligjet në fuqi sepse mungesa e transparencës na bën të besojmë për një fakt të tillë. Raportet financiare të partive politike vjetore dhe ato zgjedhore nuk janë audituar për tri vjet radhazi, pra që nga viti 2017. Gjatë kësaj kohe Kosova zhvilloi tri palë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe një palë zgjedhje lokale dhe mungesa e mekanizmave ligjorë domosdo cenoi vlerat demokratike dhe qeverisjen transparente.
Sidoqoftë, një hap pozitiv në fushën e transparencës financiare të partive politike u shënua në qershor të këtij viti nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Ky komision “arriti” që pas tre vjetëve të zgjedhë auditorin e jashtëm për auditimin e raporteve financiare të partive politike për tri vjet radhazi, si dhe të fushatave zgjedhore të zhvilluara gjatë kësaj periudhe.
Gjetjet e auditorit shpërfaqën edhe njëherë menaxhimin e dobët financiar të të gjitha partive politike në vend, pa asnjë përjashtim, duke e nxjerrë në pah nevojën shumë të madhe për përmirësim në shumë aspekte. Lista e gjetjeve dhe shkeljeve me të vërtetë është shumë e gjatë, por disa nga to janë të rëndësisë më të madhe që të përmenden këtu.
Partitë politike, sërish pa asnjë përjashtim, gjatë këtyre viteve nuk kanë mbajtur kontabilitet që mundëson regjistrimin e transaksioneve financiare dhe pasqyrave financiare që janë në përputhje me standardet e kontabilitetit të vlefshme në Kosovë. Partitë gjithashtu nuk kanë praktikuar procedurat e nevojshme të tenderimit që mundësojnë një shpenzim efikas të fondeve me kosto efektive dhe transparencë më të rritur. Kjo bie në kundërshtim me dispozitat ligjore në vend. Kontrolli i brendshëm financiar, që është gjithashtu i paraparë me ligjin aktual në fuqi për financimin e partive politike, nuk praktikohet nga partitë, edhe pse shumica prej tyre e kanë të definuar në statutin e tyre partiak.
Për më keq, duhet të ceket se auditori ka mohuar opinionin për raportet financiare të disa partive politike, përfshirë Listën Serbe, Nismën Social Demokrate dhe shumicën e partive minoritare. Në terma financiar, mohimi i opinionit rrjedh për shkak se partitë nuk kanë qenë në gjendje t’i sigurojnë provat e nevojshme të auditimit për të pasur një bazë për një opinion. Më saktësisht, në raportet financiare të vitit 2020, nga 18 raporte në total, 9 prej tyre iu është mohuar opinioni; në raportet e vitit 2019 nga 22 raporte, 12 prej tyre iu është mohuar opinioni; në raportet e vitit 2018 nga 23 raporte të partive politike 14 prej tyre iu është mohuar opinioni. Ndërsa për raporte financiare të fushatës zgjedhore të vitit 2019 nga 16 raporte të dorëzuara, 6 prej tyre iu është mohuar opinioni. Në këtë pikë, KQZ-ja duhet që çdo partie që iu është mohuar opinioni t’ia marrë statusin aktiv dhe t’i ndalohet aktiviteti politik, pa ndonjë lëshim.
Fatkeqësisht, këto të gjetura të auditorit nuk janë asgjë e re dhe e papritur. Shumica e këtyre gjetjeve janë shkelje të përsëritura ndër vite, një fakt që flet shumë lidhur me përkushtimin e partive politike në Kosovë për të përmirësuar aspektin e menaxhimit financiar dhe llogaridhënien.
Ka shumë arsye, pse edhe pas shumë vitesh avokim nga shoqëria civile në Kosovë, por edhe nga aktorët ndërkombëtarë, nuk ka përmirësim në transparencën financiarë të partive politike. Ndër këto arsye, dy janë më të rëndësishme. E para është që mungon një vullnet politik aktiv dhe dinamik për të nisur një reformë të thellë zgjedhore, që do të ngërthente në vete edhe Projektligjin për financimin e partive politike, ndër të tjera. I përmendur edhe më lartë, projektligji ka kohë qe zvarritet në agjendat legjislative të të gjitha qeverive që kanë udhëhequr ndër vite. Për herë të fundit kur ky projektligj ishte miratuar në parim në Kuvend, në vitin 2020, çdo parti kishte kërkuar ndryshime të disa neneve, që ishin edhe thelbësore në arritjen e një transparence financiare. E dyta arsye është jo-efikasiteti i Kuvendit për përzgjedhjen e auditorëve të jashtëm. Dështimi i tenderëve për auditorë, vonesa dhe grumbullimi disa vjeçar i raporteve të pa-auditura, si dhe ndarja e vogël buxhetore për auditor janë disa nga indikatorët që e tregojnë këtë jo-efikasitet. Kur jemi te ndarja e pamjaftueshme e fondeve është absurd fakti se pikërisht në këtë pikë Kuvendi i Kosovës synon të “kursejë” para nga buxheti i shtetit e që auditimi dhe transparenca e pasqyrave financiare është shtylla kryesore e demokracisë. Kjo dëshmon se auditimi i partive politike nëpërmjet Kuvendit duhet fuqishëm të rikonsiderohet, ashtu edhe siç propozohet në projektligj.
Rrjedhimisht, që Kosova të jetë një shtet me demokraci të qëndrueshme është thelbësore që të ketë transparencë financiare në të gjithë akterët, përshirë këtu edhe partitë politike në vend. Andaj, është e rëndësishme që vendi të ketë standarde strikte që rregullojnë këtë transparencë, për të parandaluar kështu aferat e mundshme korruptive mes partive politike dhe donatorëve të tyre, sidomos kur të njëjtat vinë në pushtet për t’i “shpërblyer” me kontrata publike, si dhe për të ndalur ndikimin që këto shkelje mund të kenë në proceset politike në vend.
(Autorja është pjesë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike. Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit: “Rritja e transparencës dhe integritetit të partive politike në Kosovë: Theks i veçantë në zbatimin e Ligjit për Financimin e Partive Politike dhe Reformës Zgjedhore”, implementuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe financuar nga National Endowment for Democracy - NED)