Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë më 13 dhjetor seancën e radhës parlamentare, është vendosur të mërkurën gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Sipas njoftimit, në këtë seancë do të shqyrtohen për herë të parë, katër projektligje, siç janë: Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, Projektligjit për pijet e forta alkoolike, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbeturina, si dhe Projektligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Për herë të dytë, ndërkaq, pritet të shqyrtohet Projektligji për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.
Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2022, do të jetë pikë e radhës e rendit të ditës, për të vijuar me shqyrtimin e raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2020. Ndërkaq, seanca pritet të përfundojë me debatin parlamentar në lidhje me pagat në sektorin publik.
Kryesia po ashtu shqyrtoi shkresën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë së Saj, Vjosa Osmani – Sadriu, në lidhje me adresimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe vendosi që ky adresim të bëhet më 22 dhjetor në orën 10:00.
Projektligji për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19 u procedua për mendim në Qeveri, ndërsa administrata u ngarkua për rishpalljen e konkursit për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare, si dhe të konkursit për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.