Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

 

 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kuvendi dështon t’i zgjedhë dy gjyqtarët e Kushtetueses

3 j. më parë / 17 pri 2026 20:27
Kalon në parim projektligji për Byronë

Photo: Driton Paçarada

Në katër raunde votimi, Kuvendi nuk ka arritur të zgjedhë dy emra për t’i propozuar për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Në raundin e katërt, deputetët votuan për tre kandidatë, por asnjëri nuk e mori shumicën e nevojshme për t’u propozuar.

Jorida Xhafaj mori 62 vota, Emine Abdyli-Pozhari 60 dhe Flamur Mrasori 51. Por sipas Kushtetutës duhen dy të tretat e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. E në këtë rast ishin 115 deputetë.

“Në bazë të raportit të komisionit zgjedhor konstatoj se asnjëri kandidat nuk i mori votat e mjaftueshme për t’u propozuar për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese andaj duhet ta përsërisim konkursin. Kërkohet nga komisioni përkatës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për publikimin e thirrjes/ftesës për propozimin e dy kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, tha kryeparlamentarja Albulena Haxhiu pas votimit.

Mospërcaktimi për ndonjërën kandidaturë e lë Gjykatën Kushtetuese me shtatë anëtarë, që përbën minimumin e nevojshëm për vendimmarrje

Dy pozitat janë liruar në fund të dhjetorit 2024, pas përfundimit të mandatit të ish-kryetares Besa Caka-Nimani dhe gjyqtares Selvete Gërxhaliu-Krasniqi.

Ndërkaq, në gusht të vitit 2027 u përfundon mandati edhe pesë gjyqtarëve të tjerë të Kushtetueses.

Mandati i gjyqtarëve të Kushtetueses zgjat 9 vjet, pa mundësi rizgjedhjeje.

Kuvendi vendos pro dërgimit të FSK-së në Gaza

3 j. më parë / 17 pri 2026 16:23
FSK

Foto: Ilustrim

Kuvendi i Kosovës ka vendosur për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

Vendimi kaloi me 89 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se dërgimi i ushtarëve të Kosovës në operacione të tilla krijon besim te aleatët ndërkombëtarë.

“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të komandës së unifikuar të forcës ndërkombëtare stabilizuese, e cila për mision ka të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, gjithnjë duke u bazuar në mandatin e forcës ndërkombëtare stabilizuese”, tha ai. / EkonomiaOnline

Miratohet në parim projektligji për Byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë

3 j. më parë / 17 pri 2026 15:07
kuvend

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi ka miratuar në parim projektligjin për Byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë. 

81 deputetë votuan pro këtij projektligji, me 25 që abstenuan.

PDK-ja e LDK-ja kanë kërkuar ndryshime në projektligj duke theksuar se vetëm me ndryshimet e propozuara do ta votojnë më tutje. 

 

Gërvalla: Projektligji për Byronë nuk cenon qytetarin, merret me zyrtarët publikë

3 j. më parë / 17 pri 2026 13:42 Nga: Marigona Brahimi
donika g

Photo: Driton Paçarada

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme - i cili pret të miratohet në shqyrtim të parë sot - mbron drejtësinë edhe për ata që pasurinë e kanë krijuar ligjshëm. 

Ajo në Kuvend ka theksuar se projektligji thotë qartë se pozicioni publik nuk është justifikim për pasurim të paligjshëm. 

“Nuk është shkruar për të prodhuar artikuj por për të prodhuar llogaridhënie. Kjo nismë nuk ka ardhur rastësisht. As Komisioni i Venecias as gjykata nuk e kanë kontestuar.. këto rekomandime janë reflektuar në tekstin që sot e paraqesim para jush. Sot e kemi një projektligj që ka qëndruar gjatë tepër gjatë ne sirtarët e gjykatës. Por edhe ka kaluar nëpër filtra… byroja nuk konfiskon, nuk gjykon, nuk i zëvendëson gjykatat, byroja mbledh verifikon dhe analizon informacionin, konfiskimin e bën gjykata. Ky ligj nuk merret me qytetarin e zakonshëm por me zyrtarët publikë”, u shpreh ajo nga foltorja e Kuvendit. 

Gërvalla ka shtuar se projektligji për Byronë nuk cenon qytetarët e zakonshëm. 

“Qytetari i zakonshëm nuk është objekt i këtij ligji. Procedurat nuk nisin arbitrarisht por mbi bazë të informatave kredibile. Të drejtat e palëve janë të garantuara në çdo fazë. Ky projektligj është ndërtuar mi logjikën e përgjegjësisë provës kontrollit gjyqësor dhe interesit publik. Qeveria e ka miratuar për herë të tretë kjo tregon se nuk ka pasur zmbrapsje”, theksoi ajo duke u bërë thirrje deputetëve që ta votojnë dhe të rreshtohen “në anën e shtetit ligjor”. 

Përparim Gruda nga PDK ka thënë se grupi i tij ka kërkuar ndryshime në projektligj, teksa ka sqaruar pse nuk e votojnë ashtu siç është aktualisht. Ka theksuar se diskutimi mbi të duhet të bëhet me kujdes. 

“Për ta sqaruar si fillim, ne nuk jemi në parim kundër këtij ligji. Ligji tha është miratuar tri herë në qeveri tha kjo tregon përkushtimin, kjo në fakt nuk është mirë, kjo tregon që ligji nuk është bërë mirë. Për këtë ligj s’ka pasur konsultim fare. Një ligj kaq i ndjeshëm do të duhej t’i nënshtrohej një debati”, ka thënë Gruda.

Gruda ka shpjeguar më tej çka ka gjetur PDK-ja në përmbajtje të projektligjit. 

“E dyta Gjykata ka bërë vërejtje për ligjin ka thënë që nuk mund të lini çështje për t’i rregulluar me akte nënligjore. Meqë ky ligj prek të drejtat dhe liritë e njeriut, prapë është lënë që disa çështje që lidhen me këtë të rregullohen me akte nënligjore. Tjetra, mungesa e një mekanizmi efikas te kompensimit. Nëse personit që i bllokohet pasuria dhe del se nuk ka pasur pasuri të pajustifikuar... Te pjesa teknike ka vërejtje që mund të jenë për trajtim edhe nga Gjykata Kushtetuese, ligji e ka emrin Ligji për verifikimin dhe konfiskimin, nuk i përshtatet përmbajtjes, byroja nuk konfiskon prandaj nuk mund ta ketë emrin kësisoj dhe duhet të ndërrohet. Të paktën konfiskimi.. Mënyra si është shkruar nuk është gjuhë juridike por publicistikë”. 

Ai ka theksuar se nëse vërejtjet nuk adresohet, nuk do të votojnë pro. 

“Nëse ne i japim shans Kuvendit që mes dy leximeve të bëjmë një konsultim publik, mund t’i adresojmë këto. Sot PDK do të abstenojë për ta dhënë një shans. Nëse vërejtjet nuk adresohen ne nuk mund ta kalojmë këtë ligj sepse vërejtjet që përmenda janë në kundërshtim me Kushtetutën”.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, kërkuar që të bëhen ndryshime në projektligj e nëse bëhen ka thënë se LDK-ja do të votojë për.

“Ky ligj nuk po e bën mjaftueshëm dallimin në mes të atij që ka abuzuar dhe atij që ka punuar ndershëm. Kemi të bëjmë me paqartësi brenda neneve dhe kundërthënie brenda ligjit. Kur nuk është i qartë mund të jetë i rrezikshëm. Derisa komisioni nuk ka vetëm rol monitorues por rol aktiv në inicimin e emrit të drejtorit, nuk mund ta lëmë zgjedhjen e këtij komisioni me numra aq të thjeshtë, e pakta do të duhej të ishte dy e treta e deputetëve. Nëse bëhen këto ndryshime do ta keni mbështetjen e LDK-së. E nëse kjo nuk ndodh ngrit shqetësim dhe dyshim serioz. Byroja le të bëhet por të jetë e drejtë e pavarur dhe e qëndrueshme, nëse e bëjmë këtë kemi bërë diçka të drejtë. Nëse jo po bëhet propagandë politike. Për sot vota jonë është për”, theksoi ajo.

Besnik Tahiri i AAK-së ka deklaruar se grupi parlamentar i tij e mbështet projektligjin.

“Ne kemi votuar për edhe sot do të votojmë për. Kushdo që nuk mund të justifikojë një cent duhet të ballafaqohet me forcën e ligjit”.

 

Lushaku: Rryma po vidhet në 87% të shtëpive për shkak të neglizhencës së Qeverisë

3 j. më parë / 17 pri 2026 11:33
Jehona Lushaku

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e LDK-së Jehona Lushaku ka thënë se për shkak të neglizhencës së Qeverisë në 87 për qind të shtëpive në Kosovë është duke u vjedhur energjia elektrike.

Në deklarimet jashtë rendit të ditës, në seancën plenare të Kuvendit, Lushaku, tek ka folur  për gjetjet e LDK-së se ora e 87 për qind të njehsorëve të energjisë elektrike nuk përputhet me orët reale, ka thënë së kostoja e energjisë së shpenzuar nuk matet saktë.  

“Sot derisa ne po flasim në rreth 87 për qind të shtëpive është duke u vjedhur energjia dhe nga kush, nga shteti, për mungese dhe neglizhencë të kësaj qeverie për t’i konstatuar që njehsorët në shtëpitë tona nuk janë duke e llogaritur energjinë e shpenzuar saktë”, ka deklaruar Lushaku.

Lushaku ka kërkuar që Qeveria të mos e lejojë largimin e njehsorëve, pasi sipas saj kjo po bëhet për të fshehur vjedhjen.

“Ne qe 6 vjet jemi të vjedhur. Kemi kërkuar përgjegjësi. Dolën në konferencë si KEDS-i si Ministria dhe e konfirmuan pasaktësinë dhe shqiptuan disa gjoba. Kjo është e papranueshme. Si LDK kemi ofruar provat tona dhe sot nga Kuvendi kërkojmë që Qeveria të mos e lejojë ndryshimin e njehsorëve nëpër shtëpi për ta fshehur vjedhjen. Paratë t’u kthehen cent më cent qytetarëve”, ka shtuar Lushaku.

Ministria e Industrisë e ka gjobitur KEDS-in me 30 mijë euro për shkak të konstatimit për gjashtë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit.

Gjatë verifikimit ishte hasur në sërë njehsorë me afat të skaduar.

Ndërsa nga hetimi i deritashëm i orëve të dyshimta, sipas Ministrisë, rezultatet e deritanishme nga analizat laboratorike të kryera në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës kanë evidentuar pasaktësi në regjistrimin e orës dhe datës në njehsorët e testuar. Ministria ka thënë se për to i ka dorëzuar zyrtarisht KESCO-s për kompensimin e konsumatorëve të dëmtuar.

Gjatë këtij muaji Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë për të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të KEDS-it, për të cilët ekziston dyshimi se nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.

Dyshimet u riaktualizuan nga LDK-ja, sekretari organizativ i së cilës, Visar Azemi, bëri të ditur se pas një hulumtimi ka dalë se 87% e njehsorëve regjistrojnë rrymën në kohë të pasaktë.

Tahiri – Qeverisë: Kompensoji ushtarët për orët shtesë

3 j. më parë / 17 pri 2026 11:31
besnik t

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i ka bërë thirrje Qeverisë që t’i kompensojë ushtarët për orët shtesë. 

Ai ka thënë se çështja të tilla të moskompensimit po dërgohen në gjykata, gjë që e ka vlerësuar të vështirë për një ushtar ta bëjë. 

“Si ka mundësi qe ministria te mos i kompensojë ushtarët tanë për orët shtesë dhe një çështje e tillë të bëhet subjekt i trajtimit në Gjykata. Kjo është në pozicionet më të vështira që një person që është në uniformë të detyrohet ta lypë të drejtën e vetë në gjykatë e të mos mbrohet nga institucioni. Merreni këtë punë seriozisht i bëj thirrje qeverisë dhe ministrit të Mbrojtjes të bëjë kompensimin e duhur”, ka theksuar Tahiri.
 

Behrami: Gjykata Speciale po devijon nga mandati, Trendafilova të thirret për sqarim

3 j. më parë / 17 pri 2026 11:24
artan b

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, e ka kritikuar Gjykatën Speciale se po devijon nga mandati që e ka marrë nga Kuvendi i Kosovës. 

Ai ka kërkuar që të ftohet për sqarim kryetarja e gjykatës, Ekaterina Trendafilova, dhe për këtë ka kërkuar mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare. 

“Kuvendi pranoi një letër mospërfillëse dhe pa përmbajtje nga kryetarja e gjykatës speciale. Ky kuvend përmes një rezolute ngriti shqetësimet serioze për cenimin e të drejtave të krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë por mori një përgjigje të thatë. Ky është komunikimi i parë i kësaj gjykate me ne. Gjykata Speciale është duke devijuar mandatin që ia ka dhënë ky Kuvend”, u shpreh ai gjatë seancës në Kuvend.

Behrami ka përmendur deklarimet e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, në Këshillin e Sigurimit dhe ka thënë se derisa ministri e ka ngritur këtë çështje atje, edhe deputetët duhet ta bëjë atë në Kuvend. 

“Dua të përshëndes qëndrimin dinjitoz te Glauk Konjufces qe e bëri në Këshillin e sigurimit ku kërkoi që kjo gjykatë të raportojë në Kuvendin që e ka themeluar. Kur ministri e ka ngritur këtë çështje në instancat më të larta Kuvendi nuk duhet të heshtë. Duhet të kërkohen sqarime dhe te ndalohen raportimet në Eulex. Duhet të ftojmë urgjentisht në sqarim Trëndafilovën, dhe pse jo edhe shefin e Eulexit. Për këtë kërkoj mbështetje nga te gjitha grupet parlamentare”.
 

Ndryshimi i rendit të ditës në Kuvend sërish kundërshtohet nga opozita

3 j. më parë / 17 pri 2026 11:07 Nga: Marigona Brahimi
Kuvendi i Kosoves  - seanca, 17 prill

Photo: Driton Paçarada

Ndryshimi i rendit sërish ka nxitur diskutime në Kuvendin e Kosovës nga ana e partive opozitare. 

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka propozuar plotësim të rendit duke shtuar dy pika, projektligjin për energjinë dhe atë për zgjedhjen e gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese. 
Këtë e kundërshtuar opozita. Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se nuk mund të vazhdojë në procedurë të përshpejtuar çështja për energjinë, pas e diskutuar në Kuvend. 

“Sot i tërë globi temë e ka energjinë ndërsa ne sot në vend që ta kemi temë debati mënyrën e organizimit, menaxhimit, daljen nga kjo krizë globale ne na sjellët një paketë ku komplet baza juridike centralizohet jashtë çdo parimi etik. Ne jemi për reformë të mirëfilltë institucionale në këtë sektor. E që qeveria e ka pasur këtë mundësi tash e 6 vjet ta bëjë por se ka bërë asnjë hap se ka qenë e interesuar për tregti për import”, ka thënë ai. 

Shala kërkoi që të jepet mundësia për debat. 

“Ju bëj ftesë lexoni ligjin ku ka vend që ia fal asetet privatit si në nenin 26, jemi kthyer në vitin 2006”.

E, Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK po ashtu ka kundërshtuar ndryshimin e rendit të ditës. 

“E kundërshtojmë absolutisht mënyrën e tillë të imponimit të ligjeve në seancave të rregullta jashtë procedurave të rregullta. Ju lutem të mos na vendosni para aktit. Ju lutem përdoreni autoritetin tuaj dhe mos lejoni që ligjet të vijnë në këtë mënyrë në seancë”, u shpreh ajo.

Nga AAK-ja Besnik Tahiri ka thënë se ka pasur urgjencë, nuk do të votojnë për shmangie të rendit të ditës. 

“Kërkesa për shmangie për këto dy ligje është kërkesë e gabuar, që tenton t’i fusë ligjet në trajtim pa një konsultim të thellë. Ne nuk do të votojmë shmangie përderisa nuk shihet një urgjencë e saktë”.
Pas kundërshtive, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka thënë se çështja e energjisë është diskutuar dhe ka qenë e gatshme qysh më 2024, derisa ka theksuar se është parakusht që projektligji të miratohet ashtu që Kosova të përfitojë nga Plani i Rritjes. 

“Ne më 2024 i kemi pasur ligjet gati dhe e dimë çfarë ka ndodhur pas asaj periudhe. Ligjet i kanë kaluar konsultimet publike ka pasur kohë të mjaftueshme për t’i analizuar dhe te gjithë i kanë parë. Këto ligje i kemi si kusht për të përfituar nga plani i rritjes, janë 9 milionë euro. Sjellin përmirësime të dukshme. Ne jemi në situatë ku lufta në Iran është duke e rrezikuar për krizë me energjinë kjo e rrit pasigurinë dhe nëse nuk i votoni ju me vetëdije jeni duke na e vështirësuar menaxhimin me krizën eventuale qe do të vijë gjatë muajve në vijim. Kurrkund në Evropë transmisioni nuk i raporton Kuvendit. Është bërë zgjidhje sui generis më 2016 sepse s’keni ditë më shume dhe s’keni mundur më shumë tash po e rregullojmë këtë”, theksoi ajo.

Ndërsa, Bedri Hamza i PDK-së i ka reaguar ministres Rizvanolli se është fajtore pse e ka vonuar projektligjin. 

“Ministre Kosova mund ti humb paratë por ti je fajtore për shkak se nuk e keni proceduar ligjin në kohë. Ju nuk e keni dhënë këtë mundësi pse nuk e keni sjellë para dy javë ose tri javë. Kush ju ka ndalu meqë po thoni se ligji është bërë më 2024, kush ju ka ndaluar ta sillni. Pse po e sillni tash në këtë mënyrë të përshpejtuar. Si ministre të lus të përdorni fjalor adekuat”.