Juristi Kushtrim Palushi në KTV ka sqaruar afatet kushtetuese sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri.
Palushi thotë se Kushtetuta e Kosovës fatkeqësisht nuk e mban një dispozitë në raport me presidentin ku thotë se presidenti mund të ofrojë dorëheqjen.
“Megjithatë, bazuar në praktikën, por edhe është parim ligjor se një person nuk mund të detyrohet ta mbajë një pozitë të caktuar. Duke qenë se dorëheqja është akt i vullnetshëm i personit që dorëhiqet atëherë pavarësisht nuk është e parashikuar në Kushtetutë ajo prodhon efekt praktik, juridik ku ai më nuk është president”, ka thënë ai.
Ai thotë se Kushtetua madje nuk e parasheh edhe se çfarë ndodh në rast të vdekjes së presidentit.
“Hartuesit e Kushtetutës nuk kanë paraparë dorëheqjen e presidentit, nuk kanë paraparë se çfarë ndodh nëse ai vdes. Nuk është përcaktuar se përfundon mandati i tij, megjithatë kuptohet se përfundon mandati i tij nga rregullat e përgjithshme. E në këtë rast përkundër që nuk parashihet dorëheqja e tij në fakt ai ka dhënë dorëheqje. Prandaj jemi në situatën kur znj. Osmani ka marrë pozitën e ushtrueses së detyrës edhe pse edhe këtu ka dilema me vet faktin se nuk shihet dorëheqja e presidentit nuk parashihet se çfarë ndodh pas kësaj”, ka thënë Palushi.
Edhe
Paqartësitë kushtetuese mund ta thellojnë krizën për shkak të presidentit
Ai thotë se në bazë të praktikave të më parshme ishin kryeparlamentarët ata që kanë ushtruar detyrën e presidentit që sipas tij është edhe e logjikshme.
“Nëse nuk do të ketë ndonjë rast ku partitë politike ose deputetët e kontestojnë Osmanin si ushtruese detyre të presidentit atëherë nuk do të kemi bllokadë deri në fazën ku iniciohet procedura e zgjedhjes së presidentit të ri. Kemi një afat kushtetues në momentin kur iniciohet procedura e zgjedhjes së presidentit atëherë kjo procedurë duhet të përfundojë brenda afatit 60 ditorë, brenda dy muajsh. Dhe nëse nuk përfundohet brenda afatit 60 ditorë atëherë vjen situata deri te shpërbërja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të reja. Një gjë që mund të ndodhë”, ka thënë ai.
Palushi shton se dilema tjetër është që kush dhe kur duhet të iniciojë procedurën e zgjedhjes së presidentit.
“Edhe këtu duhet shikuar praktikat e mëparshme në kohën kur është zgjedhur Thaçi, Jahjaga etj. Një prej shembujve është që në momentin kur përfundon mandati i presidentit një muaj më parë duhet të fillojë procedura e presidentit të ri. Edhe në këtë rast duhet konsideruar që mandati i Thaçit ka përfunduar dhe duhet iniciuar zgjedhjen e presidentit të ri që fillon në Kuvendin e Kosovës me kandidatët që paraqiten për t’u zgjedhur president, ku secili duhet të sigurojë numrin prej 30 nënshkrimeve për t’u konsideruar kandidat”, ka thënë Palushi. “Nëse Kuvendi e fillon këtë procedurë të zgjedhjes së presidentit atëherë afati kushtetues është i qartë, 60 ditë, brenda të cilit duhet të përfundojë ose me zgjedhjen e presidentit ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje”.
Edhe
Si rrjedhin afatet kushtetuese për presidentin pas konstituimit të Kuvendit
Kjo çështje sipas tij do të hedhet në Kryesinë e Kuvendit që të procedohet më tutje.
Ai ka shtuar se Kuvendi duhet të iniciojë zgjedhjen e presidentit të ri.