Zyra për informim e Komunës së Obiliqit ka njoftuar se ka dështuar dëgjimi publik me qytetarë i thirrur nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me qytetarë të Obiliqit për realizimin e projektit të “Parkut Fotovoltaik” në Dardhishtë, pasi, sipas tyre, qytetarët e kanë kushtëzuar këtë me disa kërkesa. Por, zyrtarët e LVV-së e kanë quajtur këtë “aktrim të dobët” të pushtetit komunal
Lajmin e publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Obiliqit se qytetarë të kësaj komune e kanë kushtëzuar realizimin e projektit të ndërtimit të “Parkut Fotovoltaik” në fshatin Dardhishtë, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë quajtur aktrim të dobët. Sipas tyre, 90 për qind e pjesëmarrësve në këtë takim ishin zyrtarë komunalë, të cilin këta të fundit e kanë quajtur dëgjim publik me qytetarë.
Ndërkohë, sipas Zyrës për informim, qytetarët kanë kërkuar fillimisht plotësimin e disa kërkesave nga ana e KEK-ut, para se të realizohet ky projekt.
“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përkatësisht Departamenti i Shpronësimit gjatë ditës së sotme ka planifikuar të mbajë dëgjim publik me qytetarët e Komunës së Obiliqit. Qëllimi i këtij dëgjimi publik ishte shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotuesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit ‘Ndërtimi i Parkut Fotovoltaik’ për nevojat të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në zonën kadastrale Dardhishtë”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim të Komunës së Obiliqit. “Mirëpo, ky prezantim nuk u realizua sepse qytetarët të revoltuar me KEK-un fillimisht i paraqitën kërkesat e tyre të kamotshme e të cilat deri më tani nuk janë realizuar. Qytetarët nuk japin pëlqim për realizimin e këtij projekti, pa u realizuar kërkesat e tyre: Brezi i gjelbër; Rripi i sigurisë në fshatin Dardhishtë; Parku i gjelbër në Dardhishtë i prezantuar nga KEK-u dhe Banka Botërore; Investimet në komunitet; Respektimi i Ligjit për Obiliqin; Punësimi; Liqeni i kaltër dhe Shpronësimi i fshatit Hade”.
Në anën tjetër, shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së në Obiliq, Sami Ahmeti, nëpërmjet një reagimi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se pushteti komunal po mundohet ta pengojë realizimin e projekteve nga niveli qendror.
“Një aktrim i dobët sot në sallën e Kuvendit Komunal në Obiliq. Të thuash se u mbajt debat publik, ku 90% e pjesëmarrësve ishin zyrtarë të Komunës, kjo është tendencë e sabotimit të qeverisë qendrore dhe e një aktrimi të dobët që hiç nuk po funksionon. Çuditërisht në kohën e fundit grupi i ricikluar i interesave personale, nën logon e LDK-së, po tenton ta sabotojë dhe ta përçmojë punën e qeverisë qendrore”, ka shkruar Sami Ahmeti. “Sigurisht që janë të frustruar që më nuk po kanë mundësi të darkojnë e të pinë raki me menaxherë e menaxhmente të KEK-ut, e që atëherë nuk listonin e as nuk kushtëzonin me asnjë kusht sepse u mjaftonte përqindja e rentës minerale, me paratë e së cilës i japin tenderë vetes së tyre. E kur bënin selfie me Njazi Thaçin e të tjerë (përfshirë vëllain e vet që e pati bërë zv.drejtor të KEK-ut) harronte krejt se qytetarët duhej të punësoheshin e shpronësoheshin”.
Madje, këshilltari Ahmeti ka shkruar se kryetari Xhafer Gashi inkurajonte bashkëpunëtorët e vet që të ndërtonin shtëpi e të mbjellin pemë në zonën e interesit “vetëm që ata të përfitonin nga shpronësimet”.