Dhomat Kushtetuese kanë rrëzuar amendamentet e propozuara të ish-presidentit Hashim Thaçi, lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale. Sipas një aktgjykimi të nxjerrë të enjten, amendamentet e propozuara nga Thaçi pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara prej kapitullit II të Kushtetutës.
Në një njoftim për media, Dhomat Kushtetuese kanë thënë se mandati i Dhomave të Specializuara dhe ai i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë vazhduar dhe do të vazhdojnë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre.
Më 25 gusht, Thaçi i ishte drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.
Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
“Duke qenë se amendamentet kushtetuese të propozuara sugjerojnë fshirjen nga neni 162(13) dhe (14) i Kushtetutës, të referencës ndaj Shkëmbimit të Letrave të vitit 2014, Dhoma thekson se referenca në fjalë saktëson se mandati i Dhomave të Specializuara dhe ZPS-së vazhdon deri në përfundimin e proceseve gjyqësore përkatëse. Rrjedhimisht, fshirja e kësaj reference do të pakësonte të drejtat dhe liritë themelore të personave të përfshirë në procese gjyqësore", thuhet në aktgjykim.