Fermerët rahovecianë punuan në vreshtat e tyre njësoj si vitin e kaluar. Por, rendimenti nuk u doli i njëjtë.
Fermerët në Rahovec po ankohen se rendimenti i rrushit është pothuajse përgjysmë më i vogël se vitin paraprak. Gjithashtu ankohen se atë edhe nuk po mund ta shesin, raporton KTV.
Shkak i dëmtimit të rrushit e që rezultoi me rendiment përgjysmë më të ulët ishin ngricat dhe temperaturat e ulëta, të përcjella me reshje të shiut.
Përveç kësaj, vreshtarët thonë se nga kultivimi i rrushit nuk po mund t’i nxjerrin as mjetet e investuara në vreshta.
Frikësohen se bodrumet e verës mund të mos ua pranojnë rrushin, të cilin nuk do të arrijnë ta shesin në treg.
Por, prodhuesit e verës tashmë kanë kontraktuar rreth 200 vreshtarë, nga të cilët do të sigurojnë rrushin verën e këtij viti.
Marrë parasysh se verën e eksportojnë në shumë vende evropiane, prodhuesit detyrohen që të përzgjedhin fermerë të përgjegjshëm dhe që kanë rrush shumë cilësor.
Në sasi këtë vit ka dalë pak, por rrushi i këtij viti është shumë cilësor, thonë agronomët.
Zyrtarët e komunës besojnë se asnjë kokërr rrush nuk do t’u shkojë dëm fermerëve.
Shumica e këtyre kultivuesve të rrushit nuk kanë arritur të marrin subvencione, të cilat i ndanë Ministria e Bujqësisë.