Shtetasi turk, Ugur Toksoy është i pari që arrestohet në Kosovë si i dyshuar për lidhje me organizatën Levizja Gylen dhe zhvillimet e korrikut të vitit 2016 në Turqi, raporton KTV.
Megjithëse ndaj tij kishte një fletë arrest ndërkombëtar, arrestimi i tij është bërë të premten në qytetin e Prizrenit, ku edhe ka qenë duke punuar tash e disa vjet si pjesë e fondacionit "Atmosfera".
Sipas kërkesës së Ministrisë turke të Drejtësisë për ekstradimin e tij, ai dyshohet për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.
Por, kolegët e Toksoy në fondacionin për arsim dhe kulturë “Atmosfera” ku punon si edukator, thonë se ai ka vite që nuk ka lëvizur nga Prizreni, derisa përmendin se shtete të shumta evropiane, nuk i kanë marrë parasysh kërkesat e tilla të ardhura nga Turqia. Gjithashtu, ata i frikësohen keqtrajtimit të tij të mundshëm nga autoritetet turke.
Megjithatë, gjykata nuk e ka fjalën e fundit lidhur me kërkesën e Turqisë për ekstradimin e tij.
Në një email të shpërndarë në media nga avokati Leutrim Syla, i afërt me fondacionin, thuhet se deri te arrestimi i Toksoyt, ka ardhur pas një vizite nga prokurori turk Mehmet Akarca.
Gjithnjë sipas këtij e-maili, Toksoy, nuk ka qenë i vetmi i dyshuar si i lidhur me Levizjen Gulen në listën e prokurorit Akarca, duke paralajmëruar edhe arrestime të tjera me kërkesë për ekstradim në Turqi.