Me organizimin e shoqërisë civile dhe tri partive opozitare në Gjakovë, është mbajtur sot diskutimi i hapur me qytetarët e Komunës së Gjakovës, në lidhje me çështjen e Kullës së Sulejman Vokshit.
Kryetarja dhe deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, në adresimin e saj ka thënë se tendenca e shfuqizimit të vendimit të interesit të veçantë për parcelat rreth Kullës është një krim që po i bëhet Komunës së Gjakovës nga ana e strukturës aktuale qeverisëse.
“Edhe pse ekziston plani i mirëfilltë për ndërtimin e Gjakovës së re në pjesën veriore të qytetit, nga kjo strukturë qeverisëse, po goditet zemra e Gjakovës, me ndërtimet e larta të cilat po bëhen me qëllime të caktuara. Gjakova i meriton vlerat që ia lanë pas figurat kombëtare, por fatkeqësisht ndaj këtyre personaliteteve po bëhet atentat prej së dyti, duke shkatërruar monumentet dhe trashëgimin kulturore”, tha ndër të tjera kryetarja Kusari Lila.
Ndërkohë, Alternativa në Gjakovë, thotë se do të mbështes protestën e thirrur nga shoqëria civile dhe i bënë thirrje të gjithë anëtarëve, votuesve dhe përkrahësve në Gjakovë që ditën e Hënë, me date 4 Mars, në ora 09:30, para Kuvendit Komunal në Gjakovë, të kundërshtojmë tendencën e tretë me radhë të kryetarit Ardian Gjini për shfuqizimin e interesit të veçantë dhe krijimit të hapësirës për ndërtime të larta rreth kullës së “Sulejman Vokshit”.
Siç njofton Alternativa përmes një kumtese, panelist ishin Gjejlane Hoxha, eksperte e trashëgimisë kulturore, Arben Hoxha Prof.Ass.Dr. i letërsisë, dhe urbanisti Xhelal Hoxha, të cilët para të pranishmëve shpjeguan anën profesionale dhe ligjore se pse propozim vendimi i qeverisjes lokale në Gjakovë, për shfuqizimin e interesit të veçantë për parcelat rreth Kullës së “Sulejman Vokshit” është i gabuar dhe nuk duhet lejuar.
