Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, është shprehur se ekziston një video-incizim i një diskutimi mes terroristit Milan Radoiçiq dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku sipas saj, shprehën të gatshëm t’i shkojnë në fund çështjes së Kosovës, “edhe me mundësinë e një sulmi tjetër si ai i Banjskës më 24 shtator”.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Kusari-Lila ka thënë se Serbia ka vendosur 48 baza ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.
Ajo ka paralajmëruar se një sulm tjetër serb në Kosovë është i mundshëm dhe shtoi se vazhdimisht po dalin fakte për synimet destabilizuese të Serbisë.
“Ka edhe një video-incizim që tregon kriminelin në arrati Millan Radoiçiq, i cili në prani të Vuçiqit dhe zyrtarëve të tjerë të Listës Serbe, deklaron se ata janë të gatshëm të përgatitur të shkojnë deri në fund, me riaktivizim të një sulmi të njëjtë si ai i 24 shtatorit, duke mos kursyer as jetët e tyre. Kur në vazhdimësi dalin fakte për synimet e Serbisë për destabilizim, tregon se situata mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë edhe ndonjë episod të ngjashëm si ai i 24 shtatorit. Ka 48 baza ushtarake të Serbisë të vendosura në kufirin me Kosovën”, ka thënë Kusari.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup paramilitar serb, të udhëhequr nga Milan Radoiçiqi, ia mësyn sulmit të armatosur në Banjskë, ku vdiq rreshteri Afrim Bunjaku. Në atë sulm, u vranë tre anëtarë të grupit paramilitar serb. Pati konfiskim të një arsenali armësh, ndërsa Radoiçiqi, që kërkohet nga INTERPOL-i si organizator i sulmit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.