Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, në fillimin e seancës plenare të enjten në Kuvend, i është drejtuar komunitetit serb në Kosovë, duke u thënë se Serbia po i përdor ata si instrument destruktiv për shtetin e Kosovës. Ajo bëri thirrje që serbët të ngriten në këmbë për të mos i mbajtur këto tensione.
“Përderisa së bashku po kalojmë në një dinamikë të ngjarjeve politike krahas atyre të sigurisë duhet të jemi të vetëdijshëm për të respektuar mekanizmat shtetërore në të gjithë territorin e vendit. Sidomos në veri. Burra dhe gra po ballafaqohen me presionin e orkestruar nga Beogradi. Mekanizmat e shtetit ligjor nuk duhet ta dallojnë qytetarin nga baza etnike”, ka thënë Kusari-Lila.
“Deputetët nuk janë nënshtruar as nuk janë injoruar nga ne. Duke zgjedhur qe të përfaqësojë autoritetin e regjimit në Serbi, Qeveria e Serbisë po jua cenon edhe të drejtat që i keni në Kosovë duke iu shfrytëzuar si instrument destruktiv për shtetin tonë. Ju ka shtyrë t’i lini vendet tuaja të punës, ua ka djegur veturat. Sot jeni nën presion. Ju lus ngrihuni dhe mos i mbani këto tensione sepse të gjithë të akuzuarit do të ballafaqohen me drejtësinë. Vetëm me përfaqësim direkt do ta ndërtojmë shtetin tonë”, shtoi ajo.