Deputetja Mimoza Kusari-Lila, e ka akuzuar për sjellje jo ligjore dhe kërcënime ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasanin.
Ministri sot ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik dhe derisa ishte duke folur për emërimin jashtë standardit të sekretarit të MTI-së, sipas Kusarit, e akuzoi deputeten për ndërhyrje politike, derisa për mediat ka thënë se “pa nevojë po përzihen në këtë çështje”.
“Ministri Hasani nuk e kupton bazën e demokracisë, rolin e Parlamentit (në shtet me sistem Parlamentar) dhe rolin e medias në shoqëri. Sikur krejt kjo të mos ishte mjaftueshëm, Ministri para Komision Parlamentar në mungesë të argumenteve valide për këtë emërim, kërcnoi me prishjen e “çerdhes” në këtë Ministri të cilën e pasna ndërtu unë në kohën sa kam qenë Ministre, ka thënë Kusari-Lila në një postim në Facebook.
“Përveç se rrëshqiti komplet nga kodi i sjelljes për funksionin që mban, Ministri harron se ka detyrë ekzekutive dhe çfarëdo parregullsie të gjetur e KA për obligim ta raportojë tek organet e rendit. Ndërsa nuk është detyrë e tij të kërcënoi ose akuzoi pa të drejtë deputetët dhe mediat për shkeljet e tij dhe të Qeverisë”, ka shtuar ajo.
“Së dyti, Ministrit ia rikujtova se politizimi i cili po i ndodh administratës së shtetit nga ai dhe Qeveria Haradinaj, mund t’i kushtojë buxhetit të shtetit 75 milion Euro, mjete këto të cilat po i planifikon t’i tërheq Bashkimi Evropian si rrjedhojë e pakënaqësisë me ndërhyrjet politike në stafin civil”.
Kusari-Lila e ka këshilluar ministrin që të merret me ndërtimin e institucionit dhe se shkeljet e evidentuara po paguhen nga qytetarët e Kosovës.
“Së fundmi, në vend se të merret me “shkatërrim” çerdhesh, më mirë është të merret me punët e ndërtimit të institucionit dhe zbatimit të ligjshmërisë se shkeljet e evidentuara po i paguan çdo ditë shteti dhe qytetarët e Kosovës. Shtetin nuk e kanë pronësi kjo kastë qeverisëse edhe pse po e trajtojnë si pronë (lexo: pre) të veten”, ka shkruar deputetja Kusari-Lila.