Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurtishi: Në Kosovë vitet e fundit kemi rritje të rasteve me kancer të lukthit

Format më të shpeshta të sëmundjeve malinje në Kosovë janë kanceri i gjirit te femrat dhe kanceri i mushkërive te meshkujt. Kurse, pas këtyre dominojnë kanceri i zorrës së trashë dhe kanceri i organeve gjenitale te femrat.

Megjithatë, viteve të fundit në Kosovë është rritur edhe numri i personave të diagnostikuar me kanceri në lukth, ka thënë drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi në një intervistë për KosovaPress.

“Format më të shpeshta të sëmundjeve malinje në Kosovë, si dhe në vendet e tjera të rajonit, në Evropë, dominon kanceri i gjirit tek femrat. Kurse tek meshkujt ai i mushkërive. Menjëherë pas këtyre, dominojnë kanceri i zorrës së trashë dhe kanceri i organeve gjenitale tek femrat. Në Kosovë, viteve të fundit, kemi një rritje të kancerit të lukthit, pankreasit tek meshkujt dhe të testiseve. Shkaktojnë problemet më të mëdha dhe kanë koston më të lartë edhe të mjekimit edhe të trajtimit. Për këtë arsye duhet të kushtohet kujdes shumë të madh, mënyrës së diagnostifikimit dhe kohës. Kjo pasi që diagnostifikimi i hershëm i këtyre sëmundjeve do të thotë një trajtim i mirë apo formë më e lehtë e mjekimit dhe kosto më e ulët e trajtimit të tyre”, tha Kurtishi.

Në Kosovë gjatë vitit 2020 u regjistruan mbi 1.300 raste të reja me kancer, ndërsa në botë nga kanceri vdesin rreth 10 milionë persona brenda një viti, duke e bërë atë si shkakun e dytë më të shpeshtë të vdekjeve në mbarë botën. 70 për qind e rasteve të vdekjes nga kanceri ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të ardhura mesatare./KSP