Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti vizitoi Bahtirin në Mitrovicë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka pritur në takim deputetin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ishte i shoqëruar me bashkëpunëtorë të tij.

Me rastin e vizitës së tij, Kurti është shprehur tejet i kënaqur me bashkëpunimin e mirë me Bahtirin dhe qeverisjen aktuale në Mitrovicë.

Ai më tutje ka shtuar së arsyeja e vizitës së tij është të informohet më për së afërmi për projektet aktuale që po zhvillohen në komunën e Mitrovicës.

Ndërsa kryetari Bahtiri, me respektin më të madhe, ka falënderuar Kurtin për vizitën e tij.

Me këtë rast, Bahtiri ka njoftuar Kurtin për planet strategjike dhe situatën politike të qytetit, si dhe për projektet që janë të gatshme për tu zbatuar.

“Projekti për realizimin e shëtitores nga Ura e Ibrit deri tek liqeni Akumulues, projekti i pishinave olimpike në Mitrovicë, projekti i rregullimit të kanalizimit në të dy anët e lumit Ibër, projekti hotelerik mbi gjysmën e lumit Iber, zona industriale në Frashër, subvencionimi i fermerëve, me ç’rast komuna do të paguaj kamatën fermerëve për tri vite”, janë vetëm disa nga projekte që priten të realizohen ka thënë kryetari Bahtiri.

Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për gjendjen politike të Mitrovicës në të dy krahët e saj, për rivitalizimin e urës dhe rifillimin e punimeve, për zonën e lirë ekonomike ku bizneset do te jenë të liruar nga taksat.

Të dy palët u pajtuan që është i rëndësishëm zhvillimi ekonomik sepse zhvillimi ekonomik nxit bashkimin e qytetit.

Bahtiri dhe Kurti kanë biseduar edhe për tematika ndërkombëtare të cilat i referohen vendit dhe popullit tonë.

Në këtë takim, Bahtiri ka kërkuar nga lideri i VV-së, Kurti dhe komisionet e tij në nivel qendror që të mbështesin subvencionimin e Kolegjit ICBM nga Mitrovica që të jetë funksional.

Në këtë takim, i cili zgjati më shumë se dy ore, të dy palët u dakorduan që të lobojnë në tërheqjen e investitorëve tuaj, me theks të veçantë investitorëve shqiptarë të cilët veprojnë në diasporë, e të cilët janë shtyllë e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Artikuj të ngjashëm