Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur takim me kryetarin e Sindikatës së Trepçës dhe anëtarin e Bordit të Trepçës, Shyqyri Sadikun.
“Statuti i Trepçës që e ka miratuar Qeveria e Kosovës ditë me parë nuk është as në shërbim të interesit zhvillimor të Trepçës dhe as të të drejtave sociale të punëtorëve. Kjo ishte tema e takimit që pata sot me kryetarin e Sindikatës së Trepçës dhe anëtarin e Bordit të Trepçës, Shyqyri Sadikun, dhe bashkëpunëtorët e tij, Gani Osmanin, sekretar i Sindikatës së Trepçës dhe minator në Stan Tërg, dhe, Haxhi Qerimin, kryetar i Sindikatës së Fabrikës së Municionit në Skënderaj”, ka shkruar Kurti, transmeton Koha.net.
Ai thotë se me drejtuesin e Komitetit Profesional të Lëvizjes Vetëvendosje për Industrinë, Nazmi Mikullovci, dhe me koordinatoren e Komiteteve Profesionale, Dejona Mihali, dëgjuan shqetësimet e arsyeshme të Sindikatës, versioni i së cilës, shkruan Kurti, për Statutin e Trepçës është shpërfillur nga kryeministri dhe Qeveria.
“Asete të shumta të Trepçës duan t'i shpiejnë në likuidim kurse minatorëve nuk duan t'ua njohin stazhin e punës gjatë viteve 1990-1999. Lëvizja VETËVENDOSJE! është në anën e punëtorëve, për të drejtat e tyre dhe për zhvillimin e Trepçës”, ka përfunduar kryetari i VV-së.