Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti takohet me Lajçakun, thotë se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Mynih të Gjermanisë, përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces. Kryeministri Kurti ka thënë gjatë takimit se Qeveria e Kosovës e mbështetë dhe është e angazhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel, për dialog parimor e të balancuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

Kryeministri po ashtu ka theksuar vendosmërinë që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, të ngelen të pacenuara.

Në takim, siç ka njoftuar zyra e kryeministrit, është biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal, ku kryeministri potencoi mbështetjen e fuqishme për procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal.