Arbëri

Kurti: Serbia po e shton agresivitetin, duhet ta kuptojmë këtë si dobësim të saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për vendimin e Qeverisë së Serbisë që të intonohet himni serb në fillim të vitit shkollor në të gjitha shkollat në Serbi, përfshirë edhe ato shqipe në Luginë të Preshevës.

Kurti ka thënë se kjo është shenjë e dobësimit të Serbisë.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë veprimi demokratik e human. Përkundrazi, sa më e dobët që është Serbia karshi Kosovës, aq më shumë po egërsohet. Është një lloj agresiviteti i shtuar i Serbisë. Duhet kuptuar përbrenda dobësimit të saj në përgjithësi. Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik. Angazhohet për gjithë qytetarët pa dallim, por edhe për shqiptarët në Serbi. Shqiptarët që janë nën Serbi ata janë të diskriminuar, dëshmitar për këtë ishte edhe delegacioni ynë që vizitoi Luginën këtë javë. Përveç që mori pjesë atje ministrja e Arsimit, Nagavci, ishte edhe zv. kryeministri Besnik Bislimi. Kemi pasivizimin e adresave. Për herë të parë brenda këtij buxheti janë ndarë 2 milionë euro për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. Siç e ka thënë poeti i famshëm Esat Mekuli, zullumi këputet prej s’trashi. Ky zullum i shtuar i Serbisë që bëhet madje edhe vet mbi serbët në Kosovë, po i vjen fundi. Pasi shteti i Kosovës është gjithnjë më demokratik, më i fuqishëm më i pavarur, e këtë po e dëshmon me reciprocitetin ndaj Serbisë”, tha Kurti.

Kurti ka folur edhe për vizitën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Ballkan, e ku nuk u vizitua Kosova.

Erdogan në Beograd tha se është i gatshëm të ndihmojë në dialogun Kosovë – Serbi.

“Por, shikoni çdokush i kanë agjendat e tyre. Turqinë e kemi mik e aleat. Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO, por dialogu që zhvillohet mes Kosovës e Serbisë, tash Kosova nuk është aty temë, por palë bëhet me ndërmjetësim të Brukselit e ndihmohet nga SHBA-ja. Nesër vijnë përfaqësuesit specialë nga Berlini e Parisi që do ta shoqërojnë Lajçakun, ndihma e gjitha shteteve mike është e mirëseardhur. Agjendat se kur vizitojnë e ku burrështetasit e shteteve mike, nuk mund ta kuptojmë plotësisht. Kjo vizitë kishte më tepër të bënte me Bosnjë-Hercegovinën, siç mendoj, pasi e konsiderojnë vend shumë më të rrezikuar se Kosova. Serbia e Kroacia janë shtete me ndikim në Bosnjë. Vizita në Ballkan kësaj radhe lidhet me Bosnjë. Nuk është se mund ta dimë qind për qind”, tha Kurti.