Arbëri

Kurti: Qeveria ka zero varësi nga Lista Serbe, Kusari-Lila e ka detyrë të sigurojë sa më shumë vota

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij ka “zero varësi nga Lista Serbe” e se shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e ka për detyrë të sigurojë sa më shumë vota në Kuvend, kur është pyetur për t’i komentuar incizimet e publikuara në të cilat dëgjohet Kusari-Lila duke komunikuar me përfaqësues të partisë serbe.

Që nga fillimi i javës, incizimet e publikuara nga gazeta “Nacionale”, ku përfshihen Kusari-Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq në një bisedë mes vete, kanë nxitur debat në opinion. Opozita po akuzon pushtetin se ka koordinuar veprimet e tyre me Listën Serbe në projektligjet e ndryshme në Kuvend.

E Kurti për këtë publikim, ka thënë se shefja e grupit parlamentar ka për detyrë të sigurojë sa më shumë vota.

“Së pari, aty shefja e grupit parlamentar dëgjohet disa sekonda e shumë minuta ka interpretime paraprake partizane në mënyrë që njerëzit të mos mendojnë vetë për ato që po dëgjojnë, e që qartazi është incizim i cili është i gjymtuar, i redaktuar dhe rrjedhimisht do të duhej që organet e drejtësisë të merren me të. Shefja e grupit tonë parlamentar natyrisht jo vetëm që komunikon e bashkëbisedon me shefat e grupeve të tjera parlamentare, por ajo e ka për detyrë që për çdo projektligj që e sponsorizon Qeveria të sigurohen sa më shumë vota. Ju e dini shumë mirë se Qeveria ka zero varësi nga Lista Serbe dhe kjo e ka bërë pushtetin tonë edhe demokratik, edhe liberal edhe progresist si asnjë tjetër në Kosovën e pavarur”, ka thënë Kurti para gazetarëve gjatë vënies së gurthemelit të Qendrës Multifunksionale në Podujevë.

Kurti ka thënë se rasti i incizimit të Kusari-Lilës është “luftë hibride nga Serbia".

“Unë as që kam komunikuar, e as takuar, ndonjë herë personin në fjalë. Keni kujdes sa i përket luftës hibride e cila bëhet nga Serbia, kundër shtetit të pavarur dhe pushtetit demokratik në Kosovë. Janë duke u përpëlitur si autokraci që janë në fqinjin tonë verior andaj edhe po përpiqen që me incizime, insinuata të ndryshme të shkaktojnë konfuzion tek opinionin publik në Kosovë, por populli jonë është edhe demokratik edhe i qëndrueshëm”, ka shtuar në komentin e incizimeve ku përmendet në disa raste emri i Milan Radojiçiqit, nënkryetar i Listës Serbe, e person që kërkohet nga autoritetet e Kosovës për disa vepra penale dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Gjatë takimit që e ka pasur me shefin e Listës Serbe kur ishin në Kuvend, e kur e kishin Goran Rakiqin në Qeveri ministër sepse është obligim kushtetues, aty asaj i është lëshuar në interfon të telefonit të Sllavko Simiqit, gjë që s’mund të thuhet se është takim. Andaj po e theksoj se pushteti jonë është demokratik, shteti i pavarur dhe të gjitha këto sulme në kuadër të luftës hibride, do të dështojnë”, ka deklaruar më tej Kurti.