Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Qeveria asnjëherë s’ka pasur kaq shumë praktikantë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se falë programit “Praktikë në Qeveri”, Qeveria e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë praktikantë. Në një takim njoftues me 250 të angazhuarit në institucione të ndryshme, Kurti ka komentuar edhe referimet që opozita shpesh ia ka bërë si “Qeveri e praktikantëve”.

“Falë Programit “Praktikë në Qeveri”, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë praktikantë. Dikush edhe mundet me na quajt qeveri e praktikantëve, por bëhet fjalë për praktikantë të mirë në praktika të mira, për qeverisje demokratike edhe për një shtet gjithnjë e më të përparuar. Natyrisht, që mbi të gjitha e para së gjithash bëhet fjalë për një vullnet për praktika të reja edhe ndryshe të cilat e shpijnë vendin tonë atje ku ne duam, pra tek zhvillimi ekonomik, tek progresi demokratik, tek integrimet euroatlantike”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij në “Ballkonin e Hapur” në Qeverinë e Kosovës, në takim me praktikantët, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit të martën në mbrëmje.

Kurti ka thënë se programi në fjalë ka bërë bashkë të rinjtë e të rejat që kanë dashur të kontribuojnë në sektorin publik, shtetin demokratik të Kosovës dhe se ky program paraqet rrugëtim për qeverisjen, por edhe për të rinjtë në profesionet e karrierat e tyre.

“Ne besojmë që ndërtimin e një administrate publike efektive, llogaridhënëse dhe të orientuar drejt qytetarëve e kemi jo vetëm thjeshtë dëshirë, po e kemi edhe obligim. Andaj, edhe prania juaj këtu është pasqyrë e përkushtimit tonë për gjithëpërfshirje, si dhe e besimit se të rinjtë e luajnë një rol kyç për zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë”, ka thënë Kurti duke i cilësuar praktikantët si “dëshmia e dëshirës, vullnetit dhe e punës për një Kosovë më të mirë për të gjithë që nuk e lë askë mbrapa”.

Kurti ka thënë se qeverisja e tij i ka dy themele kryesore: drejtësinë dhe punësimin. Ai ka thënë se Qeveria e tij ka “zbatuar politika të shumta punësimit gjatë këtyre dy viteve, që nga programi ‘Praktikë në Qeveri’, tek subvencionimi i pagës për të punësuar gratë, subvencionimi i rritjes së pagës, subvencionimi i pagës për punëtorët të cilët nuk kanë asnjë familjar të punësuar, e deri te mbështetja më e re për të rinjtë në platformën Superpuna”.

Kurti ka thënë se në “Superpuna” janë 13 mijë të rinj punëkërkues, 7 mijë biznese aktive e mbi 5 mijë të punësuar përmes saj.

Edhe Kurti: Rinia në fokus të politikave qeveritare Arbëri Kurti: Rinia në fokus të politikave qeveritare

“Pra, sektori publik në njërën anën, sektori privat në anën tjetër, janë bërë bashkë që të gjejnë punë për të rinjtë. Monitorimi i rregullt e i vazhdueshëm i skemës, na siguron jo vetëm transparencë, por gjithashtu edhe që të rinjve tanë sektori privat t’ju ofroj një punë të dinjitetshme. Po besoj që shumë nga ju, siç shihet edhe nga mosha juaj e re, në përfundim të kësaj përvoje praktike, do të mund t’i bashkoheni edhe platformës Superpuna, duke vazhduar rritjen e zhvillimin tuaj profesional”, ka thënë Kurti, sipas njoftimit.

Sipas njoftimit të Qeverisë, 250 të rinjtë janë angazhuar në institucione si Zyra e Kryeministrit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Galeria Kombëtare e Ministrisë së Kulturës, e Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë te Ministria e Bujqësisë.