Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të zgjasë pafundësisht pagesa e energjisë nga shteti për veriun. Ai bëri me dije se janë pranë arritjes së një marrëveshjeje për këtë çështje.
Sipas Kurtit, pagesa e energjisë për veriun është e domosdoshme për momentin, pasi thotë se nuk duan t’i lënë pretekst Serbisë për t’u zgjeruar.
“Ne e kemi trashëguar një gjendje të rëndë, ku nuk pas faturim për energjinë në veri. Nuk ka alternativë dhe çdo cent i dhënë për veriun do të regjistrohet si borxh. Ne nuk jemi duke u falur paratë. Jemi duke e shpëtuar situatën. Është aspekti humanitar. Nuk dëshirojmë një rajon të tërë ta shkëputim nga energjia, nuk dëshirojmë të krijojmë pretekst për Serbinë të zgjerohet në Kosovë për kinse humanitetin e tyre. Jemi pranë arritjes së asaj marrëveshje. Por është e qartë se nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Do të ketë një datë kur do t’i jepet fund. Ne nuk mund të vazhdojmë kësisoj edhe një dimër tjetër. Por jemi duke paguar shumë shtrenjtë për sovranitetin tonë në tërë territorin e Republikës”, ka thënë Kurti në konferencë për media të mërkurën.
Për një vizitë të mundshme në Gjykatën Speciale, Kurti ka thënë se në këtë fazë ai po e sheh më të arsyeshme komunikimin me avokatët e mbrojtjes.
“Kam konsideruar është më e rëndësishme për fazën që e kalojmë sa i përket Speciales, se nuk është e lëvdueshme për nga transparenca e saj, të kontaktoj, komunikoj e diskutoj me avokatët e luftëtarëve të UÇK-së që janë në Hagë e po mbahen atje me paraburgim të stërzgjatur. Mbase edhe mund t’i vizitoj. Po tregoj çfarë është më e rëndësishme të bëj. Ky është komunikimi e diskutimi me avokatët e mbrojtjes, që i kanë klientët e tyre ndaras. Që paguhen shumë nga R. Kosovës e në anën tjetër që të gjithë të pandehurit që mbahen në këtë paraburgim të stërgjatur konsiderohen së bashku edhe nga Prokuroria për të keq, edhe nga ana e R. Kosovës që ata i njeh si luftëtarë të dalluar të UÇK-së. Avokati ka prioritet klientin e vet individualisht. Por, është R. Kosovës, Qeveria e saj, unë si kryeministër. E kuptojmë se do të bëhet mirë për të gjithë ata që po mbahen në paraburgim të stërgjatur, atëherë kur bëhet mirë për të gjithë. Për secilin bëhet mirë kur bëhet për të gjithë. Me rëndësi është që mbrojtjet e pandehurve të mos shkojnë në dëm të njëri-tjetrit. Atje në pyetje s’janë vetëm individët, e dini shumë mirë qysh në verë të vitit 2020, kur u pat publiku aktakuza, kam paraqitur kritikën e kundërshtimin tim për atë që është quajtur ndërmarrje e përbashkët kriminale. Do ta kem qasjen e përgjithshme të shtetit, të Qeverisë e timin për atë që është interesi i përbashkët. Besoj se është edhe i atyre që janë në paraburgim atje”, u shpreh ai.
Sa i përket çështje së targave, Kurti ka thënë se “çfarëdo zgjidhje tjetër të ketë, parimin e reciprocitetit ne themel të vetin patjetër që do ta ketë”.