Kryeministri Kurti ka thënë se preokupimi kryesor i Qeverisë që udhëheq është zbatimi i Udhërrëfyesit për energjinë në veri, pasi, sipas tij, shteti i Kosovës nuk ka më kapacitete që të paguajë faturat e energjisë për qytetarët e katër komunave në veri të banuara me shumicë serbe. Kosova dhe Serbia kanë arritur më 22 qershor pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes ekzistuese për energjinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i Udhërrëfyesit për energjinë, ku i obligon qytetarët e katër komunave në veri të banuara kryesisht me banorë serbe të paguajnë faturat e energjisë elektrike të shpenzuar, është preokupimi kryesor i Qeverisë.
Në një konferencë për media të dielën, Kurti ka thënë se buxheti i Kosovës nuk mund ta përballojë më tutje pagesën e faturave të komunitetit serb.
“Ky është preokupimi ynë kryesor dhe kjo është çështja numër një me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im, nëse fle, Besnik Bislimi, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme për shtetin tonë që të zbatohet ai udhërrëfyes", ka thënë Kurti.
Kosova dhe Serbia kanë arritur më 22 qershor pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes ekzistuese për energjinë. Sipas Marrëveshjes, parashikohet që Zyra e Rregullatorit për Energjinë e Kosovës (ZRRE) t'i lëshojë licencë për furnizim kompanisë së krijuar për veri “Elektrosever”, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.
“Elektrosever” është kompani me pronësi serbe, e themeluar në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës.
I pari i ekzekutivit u zotua se do të bëhet çmos që të paktën një anëtar në çdo familje të jetë i punësuar. Ai ka folur edhe për skemën e punësimit, që, sipas tij, Qeveria po punon për ta zbatuar.
“Që është ndihma prej 70 për qind e pagës bruto, maksimum deri në 300 euro për gjashtë muaj rresht për këdo që është i papunë e punësohet dhe nuk e ka askënd të punësuar në familjen e vet”, ka thënë Kurti.
Vendosja e çmimit tavan për naftën është vlerësuar si e suksesshme nga kryeministri Kurti. Ai ka thënë se njëjtë do të veprohet edhe me çmimet e produkteve esenciale, pa shkelur ligjin dhe Kushtetutën.
Për këtë ka thënë se detaje do të jepen ditëve në vijim nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari.
"Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm që të sjellim masa që e ndihmojnë qytetarin, por pa e shkelur kushtetutshmërinë dhe as ligjin, këto do t'i shihni ditëve në vijim, por ju e keni parë që ka dhënë rezultate çmimi tavan për naftën", ka thënë ai.
Tash e sa ditë Ministria e Industrisë cakton çmimin tavan për derivate. Për shitjet me pakicë, kompanitë nuk lejohen të fitojnë më shumë se 12 centë për litër, e për shitjet me shumicë jo më shumë se dy centë.
Në konferencën e thirrur për të njoftuar për procesin e brendshëm zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti nuk tregoi nëse do të kandidojë për pozitën e kryetarit. Ai ka thënë se për këtë çështje do të deklarohet më 15 gusht.
“Besoj që është një proces shumë demokratik dhe transparent edhe po i ftojmë të gjithë që janë të interesuar. Sigurisht edhe unë individualisht do ta them fjalën time pas katër jave, atëherë kur do të na hapet mundësia", tha ai.
Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, njoftoi për hapjen e dy organizatave brenda partisë, Organizatën e Gruas për VV-në dhe Organizatën e Rinisë. Po ashtu, tha se do të krijohet një rregullore për mërgatën që parasheh organizimin e strukturave të VV-së jashtë territorit të Kosovës.
Më 25 shtator është dita kur anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje do të zgjedhin strukturat e reja udhëheqëse. Nga 15 gushti deri më 23 gusht, anëtarët e LVV-së do të paraqesin kandidaturat e tyre. Më 1 shtator do të fillojë fushata zgjedhore.
"Do të shpallen zgjedhjet për garën e kryetarit të VV-së, kryetares së Organizatës së Gruas për VV-në dhe kryetarit të Rinisë për VV-në. Njëjtë edhe për nivelin e dytë organizativ, do të shpallen zgjedhjet në të njëjtën datë për të gjitha qendrat e VV-së, për kryetarë të qendrave, për kryetar të Organizatës së Gruas në Qendër dhe për kryetar të Rinisë në qendër”, ka thënë Valon Hoti, koordinator në Sekretariatin e Përgjithshëm të VV-së.
Kurti përmes foltores në selinë qendrore të VV-së në Prishtinë u ka bërë thirrje anëtarëve të kësaj partie që të marrin pjesë sa më masivisht, duke i quajtur këto si zgjedhjet më të rëndësishme të partisë, para mbajtjes së atyre nacionale dhe lokale. "Për katër vite të ardhshme nuk do të këtë proces më të rëndësishëm sesa ky, zgjedhjet e ardhshme të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje janë në vitin 2026, prandaj deri në vitin 2026 në kuptimin e demokracisë dhe përfaqësimit të brendshëm nuk ka vit të rëndësishëm si viti 2022”, ka thënë Kurti.