Arbëri

Tërmkolli: Kurti, kryeministri më i denjë deri tani në bisedime

Ish-zyrtarja e lartë e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se fillimi i kryeministrit Kurti në bisedimet me Serbinë, është jashtëzakonisht i mirë.

Tërmkolli ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së, se ky është përfaqësimi më dinjitoz i Kosovës në dialog që kur ka nisur ky proces në vitin 2011.

“Kjo e bënë kryeministrin më të denjë deri tani në këto bisedime që janë mbajt nga viti 2011 e tutje. Ajo çka është treguar në këtë takim ka dy-tri oponenta: e para ka të bëjë me faktin që definitivisht për herë të parë nuk është Serbia ajo që i cakton temat pasi delegacioni i Kosovës ka shkuar pas asaj që ka caktuar Serbia. Në fakt, Serbia e ka caktuar agjendën dhe nuk kemi parë asnjëherë që Kosova ta imponojë një temë. E dyta, ndonëse nuk janë e tëra ato që janë parashtruar nga Kurti, mendoj që me këto propozime, për herë të parë pas shumë viteve, nuk shtrohet çështja gjatë bisedimeve e rregullimit të brendshëm të Kosovës, këto katër pika definitivisht e kanë zhvendosur çështjen e bisedimeve jo për Kosovën por me Kosovën”, ka thënë Tërmkolli.

Sipas saj, koncepti i bisedimeve me kryeministrin Kurti në krye, është më ndryshe, i cili siç ka thënë, nënkupton një dinjitet dhe një pozicion më të fuqishëm të Kosovës në raport me Serbinë.


Tërmkolli: Është humbur kohë e çmuar prej 2011-s në bisedimet me Serbinë

Ish-zyrtarja e lartë e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka thënë se të gjithë ata që kanë udhëhequr palën kosovare në bisedimet me Serbinë prej vitit 2011, i kanë humbur kohë vendit.

“Gjithë ato bisedime që janë zhvilluar, gjithë ajo kohë që është humbur, është humbur kohë tepër e madhe, e çmuar, duke filluar jo me bisedime teknike, dolën politike derisa hynë në çështje shumë esenciale të kontestimit madje edhe të pavarësisë së Kosovës, përfshirë fusnotën e asociacionin”, ka thënë ajo.

Tërmkolli ka përfshirë të gjithë negocuesit nga pala kosovare që kanë marrë pjesë në procesin e dialogut që prej fillimit, pa përjashtuar edhe Skender Hysenin e LDK-së vitin e kaluar i cili udhëhoqi ekipin negocues në dialog.

Sipas saj, ata që ishin pjesë e bisedimeve me palën serbe deri tash, “të mos kritikojnë” pasi shtoi se “i kanë bërë dëme tepër të mëdha vendit”.

Ajo ka thënë se nuk mund të akuzohet kryeministri Albin Kurti që me takimin e parë që ka zhvilluar në Bruksel për dialogun.