Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se në takimet me drejtuesit e institucioneve në Shqipëri, ka marrë mbështetjen se me marrëveshjen e Ohrit, ka ndodhur njohja de facto e Republikës së Kosovës nga Serbia.
Kurti pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kryeministri Edi Rama, u ka thënë mediave se ka njoftuar ata për elementet e marrëveshjes së arritur në mes Kosovës dhe Serbisë, në Ohër më 18 mars.
“Dëshirova që t’i njoftojë për së afërmi dhe në hollësi me procesin e dialogut dhe me elementët e marrëveshjes që tash duhet të zbatohet... Presidenti Begaj, kryetarja Nikolla dhe kryeministri Rama më kanë mbështetur në procesin e dialogut dhe për marrëveshjen që kam arritur. Shqipëria është gjithmonë pranë Kosovës dhe atë e dëshmon në arenën ndërkombëtare por edhe në marrëdhëniet tona bilaterale. Me kryeministrin Rama u dakorduam që mbledhja e ardhshme e dy qeverive do të jetë në muajin qershor por gjithashtu biseduam edhe për zbatimin e deritanishëm të marrëveshjeve të nënshkruara dhe çfarë mund të bëjmë marrëveshje të reja”, tha ai.
Kurti shtoi se përfaqësuesit e institucioneve kanë mbështetur qëndrimin e tij se kjo marrëveshja është njohje de facto e Republikës së Kosovës nga Serbia.
“Ata mbështetën qëndrimin tim se kjo marrëveshje është njohje de facto e Republikës së Kosovës nga Serbia, është në fakt një njohje de facto e ndërsjellët dhe gjithashtu ua shpjegova që neni 7, i cili flet për vetmenaxhimin e komunitetit serb dhe e përmend Këshillin e Evropës, në fakt korrespondon te marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Ndërkaq, në pikën 10 bëhet fjalë për të gjitha marrëveshjet e deritanishme që i ka trashëguar qeveria jonë nga procesi i dialogut në Bruksel, e që janë 39 sosh e të cilat ne jemi pajtuar që duhet të zbatohen, natyrisht ato që janë valide dhe të obligueshme që thuhet në nenin 10 të marrëveshjes”, tha Kurti.
Edhe
Kurti në Austri: Duhet më shumë presion mbi Beogradin për nënshkrimin e marrëveshjes
Ai është pyetur se pse nuk ka takuar përfaqësuesit e PD-së, ku tha se ka takuar përfaqësuesit e institucioneve por që nuk përjashtohet mundësia që në vizitën e radhës. Ndërkohë, foli edhe çka kërkon Kosova nga Shqipëria.
“Ne kërkojmë nga Republika e Shqipërisë mbështetje në forumet ndërkombëtare për Kosova, çdoherë kur diskutohet duhet të mbrohet Kosova, subjektiviteti i saj, sovraniteti, pavarësia, integriteti territorial, por gjithashtu të na ndihmojë në anëtarësime në organizata ndërkombëtare”, tha ai.