Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti kërkon durim: Në janar do ta caktojmë koeficientin në Ligjin e Pagave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar durim dhe ka premtuar se në janar do të caktohet vlera e koeficientit për Ligjin e Pagave, i cili u miratua në Kuvend të enjten.

Kurti ka deklaruar se pikënisje për Qeverinë e udhëhequr prej tij në Ligjin e Pagave ka qenë tërësia dhe jo vlera e koeficientit.

“Kemi marrë kohë më shumë se që është dashur. Duke pas parasysh përvojën e parë që herën e parë na u hodh poshtë, nuk kemi dashur të nxitohemi. 745 milionë euro është totali. Për ne, pikënisja është tërësia, jo pjesa, jo elementi. Nuk e kemi pas si pikënisje vlerën e koeficientit, por si tërësi. Në janar do të vendoset vlera e koeficientit. Nuk mund ta përcaktojmë koeficientin me Ligjin e Pagave, por me buxhet. Po kërkoj pak durim prej juve, saktësisht në janar të vitit 2023”, ka thënë kreu i ekzekutivit në konferencë për media të shtunën.

Ligji i Pagave pritet të hyjë në fuqi nga 1 shkurti.

Në shkurti të këtij viti ishte publikuar drafti i Ligjit të Pagave. Ndaj tij, kishte pasur reagime nga disa sindikata që i kanë vlerësuar të padrejtë koeficientet për ta.

Është raportuar se vlera e koeficientit do të jetë rreth 120 euro.