Arbëri

Kurti kërkon bashkim të të gjitha forcave politike me Qeverinë në detyrë për pandeminë, pastaj zgjedhje

Foto: Driton Paçarada / KD

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do t’i përgjigjet menjëherë kërkesës së presidentit, Hashim Thaçi, për dërgimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë, sepse qeveria e tij është shumë e zënë në luftimin e pandemisë me koronavirus.

Sipas tij, sapo të kalojë pandemia, Kosova duhet të shkojë drejt zgjedhjeve parlamentare.

“Ne nuk duam që të mos komunikojmë me presidentin, jemi shumë bashkëpunues, mirëpo në anën tjetër edhe jemi shumë të zënë me prioritete tjera në veçanti e mbi të gjitha me luftimin e pandemisë Covid-19. Kështu që, siç e kemi thënë më herët, në një moment të përshtatshëm ne do t'i përgjigjemi presidentit, mirëpo nuk mund të them se do ta bëjmë tash menjëherë. Presidentin nuk e lëmë pa përgjigje, por vendin tonë gjithashtu nuk e lëmë pa qeverisje të mirë”, u shpreh Kurti në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ai shtoi se edhe sikur Kosova të kishte ndonjë qeveri tjetër, nuk do të mund të kishte prioritet tjetër përveç luftimit të pandemisë, ndërsa u shpreh i bindur se qeveria në detyrë e Kosovës këtë po e bën shumë mirë.

Sipas tij, urgjenca ekziston për ta luftuar pandeminë, “por nuk ka ekzistuar për ta rrëzuar qeverinë dhe aq me pak për të bërë ndonjë lloj manipulimi për qeveri të re siç ka aluduar presidenti”.

Kryeministri në detyrë kërkoi nga i gjithë spektri politik të bëhen bashkë me qeverinë në detyrë dhe me mekanizmat shtetërorë në luftimin e pandemisë dhe, sipas tij, posa të kalojë kriza shëndetësore, “të punojmë e urojmë që kjo të ndodhë me sa më pak pasoja, ne të shkojmë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare dhe më pas të kemi edhe kuvend të ri edhe qeveri të re”.

“Nuk janë partitë politike ato të parat, të cilat kanë thënë se janë kundër zgjedhjeve, në fakt është vetë presidenti i cili ka shprehur jo vetëm intencën, por edhe planin e tij, për një lloj qeverie të re gjithëpërfshirëse siç është shprehur ai. Pra, bëhet fjalë për një tendencë të presidentit edhe ta formojë edhe ta drejtojë vullnetin politik, që natyrisht është jashtë kompetencave të tij”, theksoi Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes tha se në zgjedhjet e radhës, partia e tij do të hyjë në garën politike elektorale “jo vetëm për të fituar kësaj radhe, por gjithashtu edhe që ta kemi edhe numrin e nevojshëm e të mjaftueshëm të deputetëve për të formuar qeverinë e radhës”.

Ai nuk pranoi të përmendte emra partish me të cilat do të mund të hynte në koalicion në të ardhmen.

Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit hidhet poshtë vendimi i qeverisë për lëvizjen e kufizuar në Kosovë, Kurti tha se ky ishte një vendim “i cili është me përplot siklet brenda”.

“Ky është një aktgjykim, i cili neve na konteston procedurën por jo edhe përmbajtjen. Prandaj, ata na e kanë dhënë njëkohësisht lejen që ne të vazhdojmë me masat tona deri me datën 13 prill. Me vendim të qeverisë ne e kemi formuar një grup punues nga katër ministra, nga Shëndetësia, Punët e Brendshme, Infrastruktura e Mjedisi dhe Administrimi i Pushtetit Lokal, pra zotërinjtë Vitia, Sveçla dhe Abdixhiku, sikurse dhe zonja Rexhepi, në mënyrë që të komunikojnë dhe bashkëpunojnë dhe vendosin bashkë me kryetarët e komunave lidhur me masat që do t’i ndërmarrin në secilën komunë, pasi që gjendja në ato dallon shumë prej njëra-tjetrës. Pra, tash është Ministria e Shëndetësisë, por edhe këto tri ministritë tjera, të cilat do t’i vendosin masat për ditët dhe javët në vijim. Shpresoj jo më larg se muaji prill me qenë se në maj ka shenja se do të mund të dalim nga kjo kriza e pandemisë”, potencoi kreu në detyrë i ekzekutivit.

Kurti tha se nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme në vend, pasi që vendi tashmë i ka ndërmarrë masat e jashtëzakonshme.

“Nuk ka nevojë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme sepse nuk ka kolapsuar sistemi shtetëror, sepse mekanizmat, institucionet dhe organet e shtetit janë duke i kryer detyrat, të cilat ua ka dhënë qeveria. Në këtë mënyrë nuk ka dështim të sistemit që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme. E kemi shpallur gjendjen e emergjencës shëndetësore nga Ministria e Shëndetësisë dhe kemi lëvdata edhe brenda vendit, por që besa edhe jashtë, se jemi një shtet shembullor në përballje me pandeminë e koronavirusit”, tha Kurti.

Kryeministri në detyrë thotë se situata në veri të Kosovës asnjëherë s’ka qenë e kontrolluar siç duhet dhe sa duhet që prej çlirimit e këtej. Ai thotë se as shpallja e Pavarësisë nuk e ka ndryshuar fort gjendjen atje, dhe thotë se “qeveria jonë, e cila nuk i kaloi as dy muaj të plotë dhe erdhi mocioni i mosbesimit, nuk mund të jetë përgjegjëse për gjendjen që e kemi gjetur aty”.

“Natyrisht, Serbia ka ndikim më shumë dhe vepron më aktivisht në veri të Ibrit, mirëpo unë kam komunikuar me kryetarët e komunave me shumicë serbe, të gjitha ato dhe sidomos ministri i Shëndetësisë, por edhe ai që është ushtrues detyre i Punëve të Brendshme, kanë komunikuar dhe bashkëpunuar me këto komuna dhe i kemi marrë vendimet të cilat zbatohen. Nuk them që nuk ka edhe vendime të Serbisë, që pjesërisht e nganjëherë nuk zbatohen ndokund, meqenëse ende ka struktura të Serbisë në Kosovë, por ne nuk mund të ndryshojmë këtë gjë brenda pak javësh, e aq më tepër në kuadër të kësaj pandemie të koronavirusit. Ne përkundrazi, po përpiqemi që pavarësisht dallimeve etnike, rajonale e partiake, të bëhemi bashkë me të gjithë të tjerët në këtë frontin kundër koronavirusit, i cili përndryshe qysh dihet nuk na dallon neve në bazë të etnisë, komunës apo partisë”, u shpreh kreu i VV-së, Albin Kurti.

Shefi në detyrë i ekzekutivit kosovar thotë se nuk është rreshtuar as pro Evropës e as kundër SHBA-së.

“Nuk është se unë jam rreshtuar me ndokënd dhe nuk mendoj që askush është rreshtuar me mua. Politikanë, diplomatë të ndryshëm kanë qëndrime, mendime të ndryshme, mendime të ndryshme brenda Bashkimit Evropian po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë jam zotuar para qytetarëve për zëvendësimin e tarifës 100 për qind me reciprocitetin dhe këtë e kam mbajtur, kam shprehur vullnetin e mirë duke hequr reciprocitetin fillimisht për lëndë e parë të importuar nga Serbia, nuk është që edhe pas heqjes së tarifës ka ndonjë trafik të shtuar me Serbinë. Mirëpo, unë besoj që reciprociteti është rruga e duhur përpara si koncept i barazisë, si koncept i trajtimit pa diskriminim, as ne Serbinë por as ajo neve. Unë jam i bindur që aleanca dhe partneriteti në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pashkëputshëm dhe nuk varet nga Qeveritë e Republikës së Kosovës, as nga kryeministrat e presidentët. Kjo është një gjë shumë më e thellë e cila ka të bëjë edhe me historinë, ka të bëjë edhe me gjeopolitikën. Por, ka të bëjë edhe me vlerat e përbashkëta. Prandaj, fakti që ne mund të kritikojmë njëri-tjetrin nuk është dobësi. Unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për një Kosovë të fuqishme, për një Kosovë e cila e mbron interesin e vet dhe në këtë mënyrë edhe e forcon aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë nuk besoj që shteti i dobët i Kosovës jep kontribut më shumë në aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shteti i Kosovës forcohet pikërisht duke pasur respekt për vete, e duke ndërtuar marrëdhënie reciproke me të tjerët, në radhë të parë me Serbinë”, theksoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në fund, Kurti ftoi të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të ndjekin me vëmendje vendimet e qeverisë në këtë kohë pandemie si dhe udhëzimet e mjekëve e të ekspertëve të vendit.

“Virusi nuk ka këmbë të vetat, por i shfrytëzon këmbët tona dhe përhapet. Ne nuk e kemi nivelin e kënaqshëm të sistemit shëndetësor publik andaj le të bëjnë gjithçka, tërë kohën në çdo vend për parandalimin e këtij virusi e më pastaj me siguri që do t’i japim hov edhe reformave të shumta edhe progresit të gjithmbarshëm në vendin dhe shoqërinë tonë”, përfundoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.